Subscribe

Ambasadorja e bashkimit Evropian Romana Vlahutin tha se Shqipëria duhet patjetër që ta heqë veten nga harta e vendeve që vuajnë prej krimit të organizuar si dhe zakonit të pandëshkueshmërisë.

 

Në nisje të zbatimit të programit Pameca V për asistencën e organeve ligjzbatuese, Vlahutin shtoi se kjo luftë çelësin e ka në vullnetin politik.

 

 “Në Shqipëri njerëzit kanë bërë shumë sakrifica dhe është bërë shumë punë dhe askush nuk ka të drejtën të abuzojë për interesat e tyre kriminale apo personale. Si shumë vende të tjera në tranzicion, Shqipëria ka paguar një çmim të lartë për varfërinë sistematike, mungesën e kujtesës institucionale dhe funksionale si dhe kulturën e përhapur të mosndëshkimit, por kjo kohë ka përfunduar. Krimi i organizuar nuk njeh kufij dhe nuk ka skrupuj dhe për fat të keq është ndonjëherë më i organizuar dhe më i koordinuar se disa institucione. Pra logjika e reagimit tonë është e qartë. Ne duhet të luftojmë atë sëbashku. Gjithsesi, çelësi është vullneti politik dhe vendosmëria për t’u marrë me problemi pa asnjë kompromis.’

 

Vlahutin u shpreh optimiste dhe për luftën kundër kanabisit duke theksuar se ka një rënie drastike të kultivimit, por tha se duhen pritur rezultatet e Guardia Di Finanza. Këtu ambasadorja e bashkimit Evropian kishte dhe një mesazh për prokurorinë.

 

“Ne gjithashtu kemi parë një numër operacionesh të suksesshme policore në Shkodër, Fier, Lezhë dhe qytete të tjera që kanë goditur grupet kriminale. Ne po shohim më në fund më shumë vendosmëri në konfiskimin e aseteve kriminale. Në këto përpjekje është thelbësore puna e prokurorisë. Dhe ne të gjithë presim për rezultate më efiçente të hetimit të krimit.”

 

Për ambasadorin Italian Alberto Cutillo goditja e krimit të organizuar do të tregonte se Shqipëria është e gatshme  për çeljen e negociatave.

 

“Reformat duhet të tregojnë tashmë në terren efikasitetin, kapacitete efektive  për të arrestuar kriminelët dhe për t’i vendosur ata përpara drejtësisë. Arritja e rezultateve të shpejta do të dëshmonte të gjithëve faktin se Shqipëria është tashmë e maturuar për të çelur negociatat për afrimin dhe anëtarësimin e saj, anëtarësim që Italia e mbështet.”

 

Ministri i brendshëm Fatmir Xhafaj u shpreh se për këtë çështje roli dhe kontributi i ndërkombëtarëve është i pazëvendësueshëm, pasi prej tij nisi dhe operacioni Forca e Ligjit.

 

“Në vijim, për jetësimin e këtij dokumenti dhe rekomandimeve të mësipërme, u konceptua dhe nisi puna për Operacionin “Forca e Ligjit”. Puna që është bërë për përgatitjen e bazës ligjore dhe operacionale, pa të cilën do të kishte qenë e pamundur nisja e Operacionit “Forca e Ligjit”, është edhe kontribut i një asistence të nisur që më herët, nga grupi i partnerëve ndërkombëtarë.”

 

Në takim ishte dhe drejtori i marrëdhënieve me jashtë në prokurorinë e përgjithshme Arqile Koça i cili theksoi se nëpërmjet asistencës së Pamecas organi i akuzës ka filluar punën në kthimin e besimit të organet ligjzbatuese.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *