Në takimin e fundit si kancelare e Gjermanisë, Angela Merkel është pritur me lule nga presidenti rus, gjatë vizitës zyrtare të kësaj të premteje në Moskë.

 

Porositë e fundit të Merkel u përqendruan veçanërisht në vijimin e dialogut mes vendeve, rigjallërimin e bisedimeve me Ukrainën si dhe lirimin e kritikut të Putin, Alexei Navalni. Në një konferencë të përbashkët për shtyp, dy liderët i kushtuan rëndësi të veçantë situatës në Afganistan.

 

VLADIMIR PUTIN

PRESIDENT I RUSISE

“Bota duhet të pranojë realitetet e situatës në Afganistan dhe të bashkohet për të parandaluar kolapsin e të gjithë shtetit. Talibanët kontrollojnë pothuajse të gjithë vendin, përfshirë kryeqytetin dhe shtetet e tjera duhet të reagojnë ndaj situatës në terren. Ky është realitet. Talibanët kanë premtuar se do të garantojnë sigurinë e banorëve vendas dhe misioneve të huaja diplomatike. Shpresoj që e gjithë kjo të materializohet.”

 

Presidenti rus gjithashtu shënjestroi Perëndimin për imponimin e vlerave të huaja në Afganistan dhe për dëshirën për të ndërtuar demokraci në vendet e tjera sipas modelit të dikujt tjetër. Në përgjigje, kancelarja Merkel tha se është e nevojshme që Rusia të nxjerrë në pah çështjet e ndihmës humanitare në Afganistan gjatë bisedimeve të Moskës me talibanët.

 

ANGELA MERKEL

KANCELARE E GJERMANISE

“Unë kam dhënë informacion që ne në Gjermani e konsiderojmë më të rëndësishëm evakuimin e njerëzve që kanë punuar për mbi 20 vjet për ne. Ata qytetarë të Afganistanit duhet të marrin një vend për të qëndruar në Gjermani.”

 

Me gjithë dallimet e tyre të forta politike, gjatë 16 viteve të udhëheqjes së Merkel,  dy liderët kanë arritur të mbajnë të hapura linjat e komunikimit. Zgjedhjet e përgjithshme që do të mbahen muajin e ardhshëm në Gjermani, shënojnë edhe fundin  e epokës së zonjës së hekurt, pasi Angela Merkel nuk do të kërkojë një mandate të pestë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *