Subscribe

Skena politike këtë vit do të dominohet nga beteja e 25 prillit; socialistët me Edi Ramën do të kërkojnë të fitojnë një mandat të tretë e Lulzim Basha së bashku me aleatët e tij do të synojnë të kthehen në pushtet pas 8 viteve opozitë.

 

113 ditë para zgjedhjeve afatet kanë filluar të ngushtohen veçanërisht për strategjitë elektorale dhe ekipet me të cilat mazhoranca dhe opozita do të synojnë të fitojnë zgjedhjet.

 

15 shkurti është afati i fundit për regjistrimin e partive e në kushtet kur modeli i koalicioneve ka ndryshuar; ai shënon edhe limitin e kohës për caktimin e aleancave. Në kampin e mazhorancës situata është më e thjeshtë, pasi i vetmi aleat deri tani është partia Socialdemokrate e drejtuar nga Tom Doshi; por në krahun opozitar situata duket më e komplikuar për shkak të numrit  të aleatëve që ka Partia Demokratike.

 

Lulzim Basha ka afat deri në mesin e muajit shkurt për të mbyllur marrëveshjen me partitë aleate e për t’i dhënë fund dilemës nëse në kampin opozitar do të regjistrohen dy parti; PD e LSI apo do të kemi vetëm një listë kandidatësh për të gjithë opozitën.

 

Krahasuar me 68 parti që morën pjesë në zgjedhjet e 2013, këtë vit numri i forcave politike që do të regjistrohen pritet të jetë shumë herë më i vogël, për shkak se modelit të koalicionit që i grupon të gjithë aleatët nën udhëheqjen e një partie të vetme.

 

Në datën 7 mars, partitë duhet të dorëzojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve listën e kandidatëve për deputet që shënon momentin kur Edi Rama e Lulzim Basha do të bëjnë publike ekipet me të cilat do të kërkojnë votën e shqiptarëve.

 

E duke qenë se kjo është hera e parë që zgjedhësit kanë të drejtë të votojnë përveç partisë edhe kandidatin; lista e deputetëve ka për të pasur një peshë politike edhe më të madhe se në betejat e kaluara zgjedhore.

 

26 marsi shënon fillimin zyrtar të fushatës elektorale dhe për 30 ditë me radhë Edi Rama e Lulzim Basha do të përballen me qytetarët për të fituar votën e besimin e tyre në 25 prill.

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *