Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i arrestuar me urdhër të SPAK më 10 shkurt, pasditen e së dielës ka reaguar sërish nga qelia.
Përmes një reagimi në Facebook, ai ka hedhur poshtë pretendimet e SPAK se vila në Qerret është në pronësi të tij.
Veliaj ka publikuar foto të vjehrrit të tij të ndjerë, dhe thotë se kjo pronë është e babait të bashkëshortes së tij.
Ndër të tjera, Veliaj thotë se fotot e vjehrrit të tij janë shkrepur rreth 6 vite më parë, verën e vitit 2018, kur ai gëzonte shëndet të plotë.
Veliaj ka sulmuar sërish prokurorin Ols Dadon, duke thënë se ai po vepron si sigurims. Ndërsa, për gjyqtarin Erjon Bani deklaron se ai vepron si një “kasap” në sistemin e drejtësisë.
Erion Veliaj
Këtë muaj mbushen 6 vjet nga vdekja e Arben Xoxës, qytetar model, një njeri i letrave trashëguar prej Jakovit, profesor, drejtues në RTSH, botues i Botimeve Enciklopedike dhe sipërmarrës i suksesshëm pas viteve ’90. Këtë muaj do duhej ta përkujtonim me respekt, por me vendim të ndërtuesit noter Olsi Dado, po persekutohet edhe në atë botë!
Ndërtuesi prokuror, pretendon se shtëpia e Arben Xoxës në Qerret – të cilën e ka pasur që përpara se të isha unë në politikë, madje apartamentin fillestar, përpara se të martohesha me Ajolën – nuk është në fakt e tija, por e imja.
Po me cilat prova? Ols ndërtuesi thotë se shoferi i 4 muajve të fundit të jetës së Arbenit nuk e ka çuar në plazh. Më fal, por nëse 4 muajt e fundit të jetës ishte pacient me tumor në kokë, nën regjimin spitalor të doktor Petrelës, pse do shkonte në plazh? Dhe i pasëmurë, pse do vente robi në plazh në dimër, Nëntor, Dhjetor, Janar, Shkurt?
Madje, Ols violina, insiston se Arben Xoxa s’ka qenë kurrë në shtëpinë e tij! Po mirë, po ky në foto kush është? Ndjesë pastë, aty është edhe Ganimet Vendresha, gjyshja e ndjerë, ish primabalerina e parë në TOB te shfaqja ‘Halili & Hajria’. Bashkë me ta, sopranoja e pianistja e njohur, duke drekuar!
Që Ols dështaku në violinë, as në ëndërr s’do ulej dot me kaq artistë, kjo s’do mend! Por, fotoja, si minimum, është bërë kur njerëzit ishin gjallë – apo jo Sherlock? Pra, të paktën 6 vite më parë, zoti sigurims? Pra, si minimum, verën e 2018-ës, se janë me veshje me mëngë të shkurtra, e gjatë dimrit, i zoti i shtëpisë zuri spitalin e ndërroi jetë në Shkurt 2019. Po si, atëherë, pretendon që s’ka qenë kurrë?
Po unë pse s’do e deklaroja po ta kisha? Po tani ç’të bëj? Djali të mos vejë te gjyshja me lodra, se i veshin pronën? Pra, po kjo gjykatë, që i thotë Saliut vila në Lalëz është e vajzës, ndaj mund të shkosh, i thotë nipit të Arben Xoxës, ti nuk mund të vesh te gjyshja? Dhe këtë e bekon adashi kasap, gjykatësi i thertores Erjon Bani: Të gjithë të barabartë para ligjit, por disa – si Sali kërma – më të barabartë se të tjerët!
Në fund, ky prokuror pervers, që sillet si hasani i grave të botës, ka fuqinë të ta fyejë inteligjencën në mënyrën më mbresëlënëse! Beni vërtet s’jeton më, por të paktën ju kursyen ditët kur drejtësia ka përfunduar në llogjikën njëqelizore të një parameci funksional!
Një të dielë plot diell e dashuri për të gjithë!
Kreu i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka ankimuar përmes avokatit të tij masën e dhënë në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, masë e cila e la pas hekurave në datën 10 shkurt.
Mbrojtja e Veliajt ka depozituar ankimin në Apel përmes postës me datë 14 shkurt, vetëm dy ditë pasi togat e zeza e lanë në qeli kryebashkiakun. Nga ana tjetër mbrojtja nuk ka depozituar ankim për bashkëshorten e veliajt, Ajola Xoxa e cila është në masën ‘detyrim paraqitjeje’.
Veliaj është nën akuzë për dy vepra penale, korrupsion pasiv dhe pastrim parash. Në sallën e gjyqit Veliaj i ka mohuar akuzat e ngritura ndaj tij, duke e quajtur një gjyq politik 3 muaj para zgjedhjeve dhe hakmarrje nga ana e prokurorit Ols Dado.
Sipas dosjes së SPAK kyebashkiaku akuzohet për korrupsion në 9 raste dhe pastrim parash, ndërsa Xoxa për korrupsion në 9 raste, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Biznesmeni Elman Abule ndërkohë akuzohet për pastrim parash dhe ndodhet në qeli, ndërsa mbi 5 biznesmenët e tjerë rëndon korrupsioni aktiv.
Referuar po kësaj dosjeje sipas SPAK, Veliaj dyshohet se krijoi një skemë korruptive, mes kompanive të bashkëshortes dhe 6 biznesmenë që kanë përfituar shuma të mëdha parash.
Organi i hetimit shprehet në dosje se Veliaj ka miratuar shpërndarjen e fondeve publike si dhe lejet e ndërtimit tek këta biznesmenë, të cilët sponzorizuan disa organizata jo fitimprurëse, me fonde që në fakt sipas SPAK, përfunduan në llogaritë e bashkëshortes se Veliajt, Ajola Xoxa./vizionplus.tv





