Policia dhe prokuroria vijojnë hetimet lidhur me situatën e paprecedentë të krijuar në aeroportin “Nënë Tereza”, ku kontrollorët e trafikut ajror për dy ditë bojkotuan punën duke pezulluar të gjitha fluturimet.

 

Pas arrestimit të kreut të sindikatës Armando Fezga, përgjegjëses së turnit Flora Ndreca, si dhe mbikëqyrësit të kontrollorëve Muhin Mezini, hetuesit shoqëruan mbrëmjen edhe Petrit Sulajn, ish-drejtorin e Aviacionit Civil.

 

Për rreth 6 orë, Sulaj u mor në pyetje pasi gjatë hetimeve emri i tij doli në bisedat mes kontrollorëve në aplikacionin “Whatsapp”. Mësohet se Sulaj u shpreh para hetuesve se ai nuk ishte dakord me ndërprerjen e punës në kullën ajrore, por për dialog dhe zgjidhje të situatës me forma jo ekstreme.

 

Pas Sulajt pritet që të ketë dhe shoqërime të tjera me qëllim zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.

 

Ndërkohë të shtunën tre kontrollorët e arrestuar do dalin para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë. Ata akuzohen nga prokuroria për shpërdorim detyre.

 

Kjo pasi nga hetimet dhe dëshmitë e dhëna nga ana e 25 kontrollorëve të tjerë të trafikut ajror që u shoqëruan në ambientet e drejtorisë së policisë Tiranë, u konstatua se të akuzuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë nxitur vartësit e tyre për bojkotin e punës.

 

Shkak për situatën e paprecedentë të krijuar u bë ulja e pagave të kontrollorëve të trafikut ajror gjatë periudhës së pandemisë. Vendimin e kontrollorëve qeveria e cilësoi si një tentative për grusht shteti me prapavijë politike.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *