Subscribe

Këtë të enjte në vendin tonë kanë mbërrijtur charterat e parë me turistë për këtë sezon veror. Turistët e parë që vijnë të organizuar me fluturim charter janë nga Polonia dhe dyndjen më të madhe do ta kenë në zonën e Durrësit.

“Sot vijnë tre avionë charter dhe më pas vazhdojnë çdo ditë. Arrijmë deri në 42 avionë charter në javë. Në total deri në fillim të tetorit arrijnë rreth 1000 avionë charter në total. Unë në kompaninë time kam 190 avionë në rritje, nga viti i kaluar, në total rritja shkon 30-40%. Këta janë avionë charter nga 180-240 vendësh. Këta që fillojnë sot janë për sezonin veror, për turizmin bregdetar. Të gjithë qëndrojnë minimalisht 7 netë, por ka edhe nga ata që rezervojnë për 10 ditë apo për dy javë. Fluksi më i madh i tyre është në zonën e bregdetit të Durrësit, pra Durrës-Golem, për shkak të strukturave të mëdha që ofrohen, shërbimit all-inclusive. Çmimet këtë vit kanë pasur një rritje nga 20-25%”, tha Rrahman Kasa nga Unioni Turistik Shqiptar.

Por fluksi në rritje i turistëve, për tur-operatorët shoqërohet me sfida të mëdha të menaxhimit.

“Ka mungesë stafi, që është shumë e theksuar, ka mungesë stafi profesional. Këtij numri të madh turistësh që ne presim, duhet t’i shërbejnë edhe një numër më i madh punonjësish. Por turistët rriten, ndërsa punonjësit pakësohen. Ky vit do të jetë prova e zjarrit. Nuk është vetëm problemi i stafit. Vjet ne kishim 2.7 milionë targa të huaja që qarkulluan në rrugët tona. Sivjet presim që ky numër të rritet në 3.5 milionë, pra do të ketë një trafik akoma më të madh, ndërkohë që kemi shumë probleme me trafikun aktual. Kemi problemin e mungesës së strukturave akomoduese. Edhe vjet kishim probleme të tilla, kam pasur vetë raste të turistëve italianë që kanë ardhur, por janë kthyer sepse nuk kanë gjetur akomodim”, tha Kasa.

Veç Polonisë, Shqipëria mirëpret turistë që vijnë me charter edhe nga Republika Çeke, Hungaria, Sllovaka, vendet Baltike, Spanja dhe Portugalia./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *