Tensionet u përshkallëzuan të mërkurën në Senatin e Meksikës, kur dy senatorë u përfshinë në një përplasje fizike gjatë një seance plenare në kryeqytetin e vendit.
Bëhet fjalë për Alejandro ‘Alito’ Moreno Cárdenas, kryetarin kombëtar të Partisë Revolucionare Institucionale (PRI), dhe Gerardo Fernández Noroña, Presidentin e Senatit dhe anëtar të partisë në pushtet Morena. Skena e përplasjes u transmetua në media dhe tregoi momentet kur dy politikanët shtyjnë njëri-tjetrin në sallën plenare.
Në incident u përfshinë edhe disa deputetë të tjerë që ndodheshin në sallë.
Përplasja nisi kur Moreno iu afrua Noroñës për të shprehur pakënaqësinë që nuk iu dha fjala pasi u këndua himni kombëtar për mbylljen e punimeve të seancës.
Pas ngjarjes, Moreno publikoi një video në rrjetin social X (ish-Twitter), ku pretendoi se ishte Noroña ai që kishte nisur përplasjen. Nga ana tjetër, Noroña njoftoi se ai dhe partia Morena do të paraqesin padi për dëme ndaj atyre që shkaktuan incidentin.
Ky incident ndodhi në një periudhë tensioni politik, pasi Senati meksikan miratoi në shtator një reformë të diskutueshme kushtetuese që ndryshon sistemin e drejtësisë – të gjithë gjyqtarët do të zgjidhen me votë popullore, një veprim që kritikohet se mund të politizojë sistemin gjyqësor dhe të rrezikojë demokracinë në vend.
Më 1 shtator 2025, do të bëhet betimi i 881 gjyqtarëve të zgjedhur në zgjedhjet e degës gjyqësore të mbajtura më 1 qershor. Me këtë reformë, përbërja e Gjykatës së Lartë do të rinovohet tërësisht dhe për herë të parë do të dominohet nga gratë – me pesë gjyqtare gra dhe katër burra.
/vizionplus.tv





