Ish-efektivi i policisë Erjon Goxhara ka dalë këtë të premte përpara gjykatës për tu njohur me masën e sigurisë në lidhje me plagosjen e rëndë të inxhinierit të ERE-s, Lorenc Kosta, ngjarje e ndodhur përpara disa ditësh në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë.
Në dukje i rënduar psikologjikisht, efektivi i policisë ka dalë përpara togave të zeza për tu njohur me akuzat e ngritura nga Prokuroria.
Lexo edhe :
Related Posts
Goxhara ndërmori aktin e rëndë pas dyshimeve se bashkëshortja e tij kishte një lidhje intime me shefin e saj të zyrës Lorenc Kosta.
Aktualisht ndaj Goxharës hetuesit kanë ngritur akuzën vrasje me paramendim e mbetur në tentative.
Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e të hënës së 19 gushtit në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë. Goxhara qëlloi me gjakftohtësi në drejtim të Kostës, duke e plagosur rëndë në pjesën e barkut dhe të gjymtyrëve.
Në momentin që efektivi e ka qëlluar me 6 plumba, ka nxjerrë telefonin duke i bërë video të plagosurit, pamje të cilat më pas i ka shpërndarë tek të afërmit e tij.
Pas krimit, Goxhara është larguar me mjetin e tij drejt banesës për të marrë një çantë.
Pas kësaj ai ka shkuar me djalin e tij në afërsi të Shkozës ku pikërisht në këtë vend një efektiv policie e ka thirrur në emër dhe i ka kërkuar që të ndalojë.
Goxhara është larguar me vrap duke i shpëtuar arrestimit ku fillimisht u dyshua se u fsheh në zonën e Dajtit. Pas disa ditësh në arrati, Goxhara u vetëdorëzua në 21 gusht në drejtorinë e policisë.
“Nuk kam patur për qëllim ta vras”, është shprehur polici Erion Goxhara pas dorëzimit. Sipas tij, ai u provokua nga inxhinieri ndaj dhe ndërmori aktin e rëndë.
Burime pranë grupit hetimor thanë se megjithë shpjegimet e Goxharës, ka dyshime se efektivi i policisë e ka ndjekur inxhinierin dhe ka planifikuar ngjarjen.
Ndërkohë, shpjegime do të japë edhe i plagosuri, Lorenc Kosta, por deri në këtë moment ai ndodhet nën kujdesin e mjekëve.










