Subscribe

Forcat zjarrfikëse ishin heronjtë e vërtetë të një dite më parë në qytetin e Lushnjës, të cilët pavarësisht zjarrit të madh që kishte përfshirë pallatin 12 katësh u futën në çdo apartament për të evakuuar banorët që kishin mbetur të bllokuar.

Një prej zjarrfikësve i cili rrezikoi edhe jetën e tij ndërsa po evakuonte banorët pasi u asfiksua nga tymi ka rrëfyer momentet e tmerrit.

Zjarrfikësi Arben Zaçi tha se ishte një grua e re e cila po bërtiste dhe kërkonte ndihmë pasi në katin e tetë kishte dy fëmijët e vegjël të bllokuar.

Ishte një nuse këtu, kishte dy fëmijët në kat të tetë, atje u ndesha me një xhaje ngaqë ishte tym i madh. Morëm vesh që nuk kishte më njerëz lart pasi ishin evakuuar dhe zbritëm poshtë”, u shpreh Arben Zaçi.

Më tej Zaçi tregoi se ai ishte pushim gjatë ditës së djeshme, por ka vrapuar të ndihmojë njerëzit menjëherë sapo shefi dha alarmin. Sipas tij në të gjithë karrierën e tij si zjarrfikës kjo ishte hera e parë që përballej me një zjarr të atyre përmasave.

Ne ishim rastësisht se nuk ishim në punë. Sa dha shefi alarmin erdha menjëherë dhe u ngjita me çfarë munda. Kjo ishte situata më e keqe gjatë gjithë karrierës time si zjarrfikës. Kur nuk ka dëme në njerëz ndihemi shumë mirë”, theksoi më tej Zaçi.

Zjarrfikësi tregoi gjithashtu se pasi bënë të mundur evakuimin e banorëve në katet e mësipërme janë përballur me vështirësi në zbritje për shkak të tymit.

Ai tha se ndërsa kanë mbërritur në katin e dytë ka humbur ndjenjat për shkak se është asfiksuar dhe prej aty e kanë nxjerrë forcat e policisë.

Kishte shumë njerëz që bërtisnin. Mbaj mend që erdhëm deri në katin e dytë aty na shpëtuan forcat e policisë pasi ishim të asfiksuar”, u shpreh më tej Zaçi.

Kujtojmë që nga zjarri i rënë një ditë më parë 42 persona përfunduan me asfiksim në spiatal, mes tyre fëmijë, të moshuar dhe anëtarë të forcave zjarrfikëse.

Fatmirësisht askush prej tyre nuk kishte komplikacione të rënda.

/Vizionplus.tv/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *