Joe Biden u takua dje, të enjten, në Kaliforni me të venë e disidentit të ndjerë rus Alexei Navalny, por duket se ai nuk ka arritur ta ruajë emrin e saj në kujtesën e tij, pasi në një deklaratë që bëri më vonë për gazetarët e quajti atë “Yolanda” në vend të ” Julia”.

Sipas New York Post, takimi i Biden me Yulia Navalny dhe vajzën e saj Dasha ofroi konfirmimin e parë të vendndodhjes së vejushës së Navalny, gjashtë ditë pasi u njoftua vdekja e avokatit 47-vjeçar në një burg të Arktikut.

“Këtë mëngjes pata nderin të takohesha me gruan dhe vajzën e Alexei Navalny, i cili ishte padyshim një burrë me guxim të jashtëzakonshëm. Është e mahnitshme se sa shumë i ngjajnë gruaja dhe vajza e tij në këtë”, u tha Biden, 81 vjeç, gazetarëve në San. Francisco.

“Nesër do të shpallim sanksione kundër Putinit, i cili është përgjegjës për vdekjen e tij. Por një gjë që u bë e qartë për mua është se Yolanda do të vazhdojë luftën që kishte nisur”, ka thënë ai.

Shtëpia e Bardhë nuk komentoi për ngatërrimin e dukshëm të emrit. Biden po kërkon rizgjedhjen në nëntor, por sondazhet tregojnë se një numër i madh votuesish – 86 përqind, sipas një sondazhi të ABC/Ipsos të publikuar më 11 shkurt – mendojnë se ai është shumë i vjetër për të qëndruar në detyrë edhe për katër vjet të tjera.

Ekonomistja Yulia Navalnaya, 47 vjeçe, e cila ka qenë e martuar për më shumë se 20 vjet me opozitarin rus, shihet gjerësisht si një pasuese e mundshme e bashkëshortit të saj në vijën e parë të betejës për të mbrojtur demokracinë në Rusi. Dasha Navalnaya është studente në Universitetin e Stanfordit. /vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *