Policia e Korçës ka arretuar në flagrancë një 26-vjeçar në banesë i cili ishte i armatsorur dhe me armën gati për qitje.
Në momentin që policia ndodhej në derën e banesës së 26-vjeçarit Renato Lipe, ky i fundit ka kërcënuar me armë oficerët, të cilët kanë reaguar menjëherë duke neutralizuar të riun dhe duke bllokuar armën.
Në operacion ka marrë pjesë edhe nëndrejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë së Korçës Hajri Kushe dhe shefi i komisariatit të Korçës, pasi 26 vjeçari Renato Lipe kishte kërcënuar se do të qëllonte drejt policisë.
Bëhet me dije se 26-vjeçari kishte precedentë të mëparshëm penalë.
Njoftimi:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Again”, me rrezikshmëri për punonjësit e Policisë.
Mbante armë zjarri në banesë dhe kërcënoi me jetë punonjësit e Policisë, pas thirrjeve të Policisë dhe ndërhyrjes profesionale, vihet në pranga 26-vjeçari.
Sekuestrohet arma e zjarrit tip pistoletë, me fishek në fole gati për qitje, me të cilën ai kërcënoi punonjësit e Policisë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, në bashkëpunim me shërbimet operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, në bazë të informacioneve të marra se një shtetas i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje kishte siguruar dhe mbante përsëri armë zjarri, organizuan punën dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Again”.
Në momentin e ndërhyrjes, 26-vjeçari ka kundërshtuar të hapë derën dhe ka kërcënuar me jetë punonjësit e Policisë.
Pas thirrjeve të bëra nga ana e Policisë dhe ndërhyrjes profesionale, u bë e mundur neutralizimi dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit R. L., 26 vjeç, banues në Korçë, person me rrezikshmëri të lartë, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit tip pistoletë me fishek në fole, gati për qitje, dhe municioni luftarak.
Materialet proceduriale iu referuan Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme.





