Pavarësisht se në vend ka shpërthyer gripi i shpendëve, nga i cili kanë ngordhur mijëra pula, ministria e Bujqësisë garanton se në treg nuk do të mungojnë produktet ushqimore.

 

Tri nga kompanitë më të mëdha vezëprodhuese janë në karantinë, por sipas zv. ministres Ermira Gjeçi, kjo nuk do të thotë se tregu do të vuajë për vezë.

 

ERMIRA GJEÇI
ZV. MINISTRE E BUJQESISE
“Nuk janë komplekset e vetëm që prodhojnë për treg, ka edhe komplekse të tjera, ka edhe produkte importi, nuk do të ketë mungesë produkti.”

 

Virusi H5N8 nuk duhet të pengojë konsumatorët të blejnë mish apo vezë si zakonisht, pasi autoritetet garantojnë se produktet në treg janë të sigurta.

 

ERMIRA GJEÇI
ZV. MINISTRE E BUJQESISE

“Ky virus nuk transmetohet tek ushqimet, si te shpendët, ashtu edhe te vezët. Pasojat janë vetëm te tufat e shpendëve. Meraku jonë ka të bëjë me pakësimin e shpendëve, por jo me konsumimin e produkteve , mjafton të respektohet temperatura.”

 

Teksa thirrja për konsumatorët është që të blejnë vetëm në subjekte të licencuara dhe jo në rrugë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit është në terren për kontrolle.

 

ERMIRA GJEÇI
ZV. MINISTRE E BUJQESISE

“Pavarësisht që kemi thënë që nuk ka asnjë problem për pjesën e konsumatorit, për konsumimin e produkteve shpendore, AKU ka ndërmarrë një fushatë kontrolli të subjekteve, të gjitha subjektet e kontrolluara nuk janë evidentuar shkelje të legjislacionit.”

 

Si masë parandaluese për përhapjen e gripit të shpendëve, në tre qarqet ku ka shpërthyer sëmundja, ministria e Bujqësisë ka ndaluar qarkullimin dhe tregtimin e shpendëve të gjallë në mjedise të hapura. Nëse ky urdhër nuk zbatohet, paralajmërohen masa ndëshkuese.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *