Subscribe

70% e gjyqtarëve, apo prokurorëve që paraqiten përpara Vettingut, nuk kanë arritur që të sigurojnë vendin e tyre të punës dhe janë larguar nga sistemi i drejtësisë. Një situatë e papritur, kjo sipas drejtuesit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë Gent Ibrahimi.

 

GENT IBRAHIMI

KRYETAR I KLP

 

Padyshim që efekti anësor i kësaj ka qenë edhe krijimi i këtyre vakancave të shumta në një sasi dhe në një nivel të papritur në fakt në sistemin e drejtësisë. Po shikojmë një numër të madh gjyqtarësh dhe prokurorësh që po e lënë sistemin si rezultat i procedurave të Vettingut. Po i afrohemi një niveli afro 70% të atyre që hynë në procesin e Vettingut, nuk ia dalin. Kjo është e papritur.

 

Prurjet nga shkolla e Magjistraturës duket se nuk plotësojnë dot vendet vakante, ndaj KLP ka propozuar ndryshime ligjore.

 

Konkretisht është fjala për dy ndryshime legjislative. I pari ka të bëjë me përshpejtimin e futjes në sistem të studentëve të shkollës së Magjistraturës. Në rast se ligji aktual parashikon që një student i shkollës së Magjistraturës emërohet gjyqtar dhe prokuror në krye të tre viteve, ne propozojmë që kjo periudhë të përshpejtohet pra të futen në sistem brenda dy viteve dhe viti i tretë të konvertohen në një vit pune. Propozimi i dytë është fakti që ish-anëtarët e Këshillave në përfundim të mandatit të tyre të emërohen në sistem.

 

Ibrahimi për Vizion Plus ka komentuar edhe kritikat e ambasadores amerikane Yuri Kim, e cila tha para pak ditësh se nuk duhet të ketë pengesa për Reformën në Drejtësi.

 

Ngecje mund të kuptohet fakti që ende nuk po i shikojmë rezultatet e institucioneve të reja të krijuara. Këto efekte janë afatgjata. Përshembull po të marrësh efektet që sjell KLP-ja, efektet janë profesionalizmi, integriteti në sistemin e Prokurorisë, meritokracia, pra janë efekte afatgjata. Efektet që vijnë nga SPAK janë më të shpejta. Kështu që unë do të thoja që ka një ngecje, por padyshim që ka edhe një padurim nga ana e të gjithëve, përfshi këtu edhe ambasadoren amerikane Yuri Kim sa i takon rezultateve.

 

Sa i takon emrit të kryeprokurores së Tiranës Elisabeta Imeraj pavarësisht se kjo e fundit nuk i ka mbyllur procedurat me Vettingun, Ibrahimi tha se pa garë dhe pa meritokraci sistemi kalon në kolaps.

 

Ligji nuk e kërkon që një prokuror apo një gjyqtar të ketë kaluar vettingun përpara se të tranferohet apo të ngrihet në detyrë. E vetmja gjë që kërkon ligji është që një prokuror të mos emërohet në SPAK në rast se nuk e ka kaluar vettingun. Ne nuk mundet ta pezullojmë sistemin e karrierës Brenda Prokurorisë deri në përfundim të procesit të vettingut, i cili përfundon pas 5 vitesh. Po nuk pati sistem karriere, gara profesionale brenda sistemin vdes, meritokracia vdes dhe i gjithë sistemi kalon në kolaps.

 

Në fund Ibrahimi shtoi se prokurorët apo gjyqtarët që duan karrierë në drejtësi, do të përballen me Vetting permanent ku duhet herë pas here që të japin llogari për pasurinë e tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *