Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se qeveria e tij ende po vijon konsultimet dhe diskutimet me aleatët sa i takon vendimit për hapjen, për qarkullimin e automjeteve te urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Nga mbledhja e qeverisë këtë të mërkurë, Kurti tha se gjatë javës në Prishtinë do të zhvillohem biseda të rëndësishëm me zyrtarë të lartë ndërkombëtarë.
“Në të gjitha këto takime natyrisht diskutohet edhe çështja e hapjes së urës qendrore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, për të cilën jemi duke i bërë të gjitha konsultimet e nevojshme, si dhe punët tona të shtëpisë. Hapja e urës është liri e lëvizjes. E liria e lëvizjes është e drejtë themelore si në Republikën e Kosovës ashtu edhe në Bashkimin Evropian”, tha Kurti.
Kurti tha gjithashtu se ka kërkuar nga ndërkombëtarët t’i bëjnë më shumë presion Serbisë, lidhur me ngjarjen e Banjskës dhe personat përgjegjës.
“Serbia ende nuk është mbajtur përgjegjëse dhe vijon të mos dorëzojë drejt autoriteteve tona kryekriminelin e saj, Milan Radojçiç”, u shpreh Kurti.
Vizitat e zyrtarëve të NATO-së dhe të tjerëve në Kosovë po zhvillohen në kohën kur Shtetet e Bashkuara, BE-ja, por edhe vetë misioni i aleancës ushtarake, KFOR, kanë kundërshtuar synimin e Qeverisë së Kosovës për hapjen e urës në këtë kohë./vizionplus.tv





