Deputetja demokrate Jorida Tabaku ka reaguar për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila pranoi pjesërisht kërkesën e opozitës për shkrirjen e Bordit të Transparencës, duke ndryshuar vetëm një nen.

 

Në një postim në rrjetin social Facebook, Tabaku shkruan se ndonëse ky vendim i Kushtetueses ishte i paplotë, kjo sërish i dha të drejtë deputetëve të PD.

 

Ajo thotë bordi ka qenë që nga fillimi abuzive dhe korruptiv, e për këtë qytetarët shqiptarë gjatë kësaj periudhe kanë paguar 600 mln euro taksa shtesë.

 

Tabaku e quan si një rast unik kur biznesi dhe qeveria caktojnë vetë çmimet në kurriz të qytetarëve.

 

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, mgjs i paplotë, i dha të drejtë një grupi prej deputetëve të PD në lidhje me bordin e karburanteve!

 

E kam quajtur që në fillim bordi komunist, bordi oligarkëve sepse në fakt më pak se sa pesë kompani janë përfitues prej tij dhe është rasti unik në botë ku biznesi ulet me qeverinë e përcakton çmimin në kurriz të qytetarëve.

 

Prej vendimeve abuzive dhe korruptive të këtij bordi qytetarët kanë paguar 600 mln euro taksa shtesë nga rritja e çmimit qe kanë shkuar te kompanitë dhe tek buxheti i shtetit”, shkruan Tabaku.

 

Deputetja demokrate më tej shprehet se Kushtetuesja duhet të shkrijë bordin e Transparencës, ashtu siç bëri me atë të ushqimeve, pa ja lënë në dore qeverisë.

 

Ky biznes me krizën duhej patjetër ndërprerë menjëherë, ndërkohë që GJK vendosi se antikushtetues tek ky bord është afati kohor i papërcaktuar. Pra ia la në dorë qeverisë ta ndërpresë. Ndërkohë që për bordin e çmimit të ushqimeve me të njëjtën bazë, ligjore dhe me të njëjtin arsyetim në ngritje e gjeti plotësisht antikueshtetues ndërsa bordin e karburanteve e gjeti pjesërisht!

 

Unë nuk i kam sulmuar e nuk do t’i sulmoj kurrë gjykatat e prokurorët si ben rëndom shumica e politikës, por sot kushdo duhet të pyesë veten si ka mundësi që dy borde që janë krijuar me të njëjtën mënyrë, zbatojnë të njëjtën bazë ligjore, e janë firmosur nga të njëjtët gjyqtarë në GJK jepen dy vendime të ndryshme.

 

Si mundet që dy pika uji të ngjashme të njëjta, Gjykata Kushtetuese i gjen të ndryshme?”, shkruan Tabaku.

 

Në vendimin e bërë publik një ditë më parë, Gjykata Kushtetuese thotë se Bordi i Transparencës do të mbetet në fuqi, ndërsa thekson se njëri nga nenet bie ndesh me Kushtetutën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *