Subscribe

Lideri i opozitës Sali Berisha, sqaroi se ai nuk do të zbatojë vendimin e gjykatës për tu paraqitur dy herë në muaj pranë Prokurorisë së posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Gjatë një konference me gazetarët, Berisha theksoi se vendimi i gjyqtares Irena Gjoka është i paligjshëm ,pasi për çdo masë sigurisë ndaj tij duhej marrë më parë autorizimi i parlamentit, duke ironizuar edhe avokaten që iu caktua kryesisht për ta mbrojtur

 

SALI BERISHA

 

“Urdhri i gjykatës është i paligjshëm. Ajo që më përfaqësoi mua aty, ishte fytyra e vërtetë e Edi Ramës dhe është e paligjshme.”

 

Ish- kryeministri Berisha e cilësoi mercenare gjyqtaren që caktoi masën e sigurisë ndaj tij duke e akuzuar se shkeli kushtetutën

 

“Ata që marrin përsipër të shkruajnë Kushtetutën në vend që ta zbatojnë atë janë banditë kundër shtetit, dhe jo përfaqësues të tij. Pas tre vitesh hetim intensiv, dhe siç e kanë cilësuar vetë, shterues, Edi Rama dhe bashkëpunëtorët e tij në krim nuk gjetën asnjë provë dhe asnjë fakt për të ngritur kallëzim penal kundër meje. Megjithatë, urdhëruan masa sigurie si person nën hetim, arrest me paraqitje të detyrueshme dhe bllokimin e pasaportës sime me vendim gjykate pa marrë autorizimin e Kuvendit”

 

Lideri i opozitës përsëriti se është i gatshëm të paraqitet në gjykatë, por në përputhje me kushtetutën duke sfiduar mazhorancën të heqin çdo imunitet për deputetët

 

“Prandaj, e ftoj edhe njëherë Edi Ramën të ketë guxim të vijë të votojë amendamentin që heq çdo mbrojtje nga deputetët shqiptarë dhe fshin menjëherë çdo dallim në Kushtetutën e vendit mes të pushtetshmëve dhe qytetarëve të tjerë.”

 

Një ditë më parë gjykata e shkallës së parë vendosi si masë sigurie ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, detyrimin për tu paraqitur pranë SPAK-ut të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji duke i hequr dhe të drejtën të udhëtojë jashtë Shqipërisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *