Subscribe

Kreu i Shërbimit Informativ të Shtetit ka ngritur shqetësimin se vendet jo mike me Shqipërinë po përdorin metoda të ndryshme për të krijuar destabilitet. Në raportimin e tij vjetor në Komisionin e Sigurisë, Helidon Bendo tha se këto shtete, përmes sulmeve kibernetike, dezinformimit apo propagandës janë përpjekur disa herë që të sulmojnë.

 

“Këto shtete e shërbime jomiqësore me Shqipërinë, përdorin aktivitetet klasike dhe hibride për realizimin e synimeve të tyre. Në veprimtaritë e spiunazhit, ato përdorin një kombinim të metodave të mbyllura dhe të hapura, konvencionale (klasike) dhe jokonvencionale që përfshijnë propagandën, dezinformimin, sulmet kibernetike, grumbullimin e informacionit sensitiv nëpërmjet ndërhyrjes në rrjetet kompjuterike, për qëllime spiunazhi kibernetik, për të realizuar aktivitete/operacione influence informative dhe psikologjike.”

 

Sa i takon situatës së rajonit, Bendo shtoi se vendet jomike kanë tentuar gjithashtu destabilitetin politik me qëllim mos anëtarësimin në NATO apo BE të Ballkanit.

 

“Situata në rajon është karakterizuar nga zhvillime të brendshme politike të brishta, të cilat kanë sjellë paqëndrueshmëri qeverisëse në disa shtete. Mosmarrëveshjet ndërshtetërore po shfrytëzohen nga vendet e treta për të mbajtur situatën në rajon të destabilizuar, me qëllim pengimin apo shtyrjen në kohë të proceseve integruese në BE e NATO të vendeve të caktuara të rajonit.”

 

Zyrtarët e NATOS dhe BE shpeshherë kanë paralajmëruar për rrezikun rus në Ballkanin Perëndimore, duke përmendur pikërisht format e sulmit që pretendon SHISH.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *