Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, mblodhi në Fier drejtuesit e Drejtorive Vendorë të Policisë Fier, Berat, Vlorë e Gjirokastër si dhe shefat e Komisariateve në varësi të këtyre drejtorive.

Veliu tha se qëllimi i këtij takimi është analiza e punës së deritanishme dhe intensifikimi i veprimeve në terren për të evidentuar dhe goditur qoftë edhe një bimë të vetme kanabis të kultivuar.

“E vlerësoj punën e gjithsecilit, angazhimin dhe përpjekjet për të përmbushur këtë priorit, por në këtë fazë që jemi, duhet medoemos një tjetër impuls, një tjetër ritëm e angazhim në terren dhe rritje të forcës goditëse duke mos i lënë asnjë hapësirë cilitdo që tenton të ushtrojë veprimtari kriminale në këtë fushë”, tha Veliu.

Veliu iu ka kërkuar gjithë drejtorëve që të vijojnë kontrollet masive të territorit, ndërsa shtoi se do të mbështeten me helikopterë.

“Askush të mos neglizhojë apo më keq akoma të bëhet palë me keqbërësit, se nuk do tolerohet asnjë drejtues policie e deri te punonjësi më i thjeshtë. Siç keni vepruar deri tani me kontrolle masive të territorit, kontrolle këto që nuk u ndalën edhe në periudhën e vështirë të izolimit nga pandemia, por përsëri Policia e Shtetit e vijoi punën krahas shumë detyrave duke ushtruar kontrolle të shumta të territorit, duhet që këto kontrolle të vijojnë më intensivisht.Do t’ju mbështesim me helikopterë, me monitorim nga GDF, me dronë me mjete logjistike, ndaj kjo periudhë që ka mbetur duhet që e tërë struktura policore nga qendra në bazë, të angazhohet në kontroll territori, në mbledhje informacionesh, në bashkëpunim me qytetarët që të gjithë së bashku të bëjmë më të mirën, në interes të integrimit evropian të vendit tone.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *