Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj takoi homologun e tij, të Sarajevës, Abdulah Skaka, ku teme diskutimi në këtë takim duket se kanë qenë mundësitë e bashkëpunimit dhe shtimin e marrëdhënieve mes dy bashkive në fushat e shkëmbimeve tregtare, biznesit, rinisë dhe kulturës.

 

Në fjalën e tij kryebashkiaku i Sarajevës, falenderoi Tiranën për mikpritjen, vlerësoi punën e bërë nga Veliaj për transformimin e qytetit. “Më vjen shumë mirë që e shoh Tiranën në këtë dritë dhe i përgëzoj qytetarët e Tiranës për përkrahjen që i kanë dhënë një njeriu shumë kreativ dhe energjik, si ju”.

 

Ndërkohë si shenjë e vazhdimit të miqësisë mes dy kryeqyteteve dy kryebashkiakët kanë mbjellë një pemë.

 

Ndërsa në fjalën e tij Veliaj tha se mes tij dhe kryebashkiakut Skaka ishte rënë dakord për realizimin e një sërë projektesh, që do t’i vijnë në ndihmë qytetarëve.

“Sot është një ditë shumë speciale për marrëdhëniet mes Tiranës dhe Sarajevës. Në shenjë të miqësisë sonë, sapo mbollëm një pemë që do të jetë këtu për sa kohë që të ekzistojë Tirana dhe Sarajeva. Por, marrëdhënia jonë shkon përtej simbolikës dhe lajmi i mirë është që sot kemi dakordësuar se si do të fuqizojmë partneritetin midis Tiranës dhe Sarajevës me disa projekte konkrete. Jemi shumë të lumtur që një qytetare e jona, si Majlinda Bregu, do të drejtojë një qendër të veçantë për bashkëpunim rajonal në Sarajevë dhe do të bëhet qytetare e Sarajevës dhe do shfrytëzojmë edhe atë platformë të bashkëpunimit rajonal, si një urë që lidh dy qytetet tona”.

 

Duke mbështetur nismën e Veliajt për krijimin e forumit të kryebashkiakëve të kryeqyteteve të rajonit, ai shtoi se ky takim do t’i japë një shtysë tjetër bashkëpunimit mes dy bashkive.

 

“Është shumë e rëndësishme të theksohet se qyteti i Sarajevës dhe i Tiranës janë vëllazëruar që në vitin 1996. Ky është thjesht vazhdimi i bashkëpunimit ndërkombëtar që do kenë dy qytetet, posaçërisht të rëndësishme në rajon. Shpresoj që disa nga bisedimet e sotme do të realizohen shumë shpejt dhe është shumë e rëndësishme që të formohet pakti, që do të përbëhet nga të gjithë kryebashkiakët e rajonit, në të cilat do punoj shumë seriozisht, sikurse edhe kolegu im, dhe shpresoj që një nga këto takime do zhvillohet shumë shpejt në pranverën e vitit 2019”, është shprehur kryebashkiaku Skaka.

 

Veliaj i dhuroi kryebashkiakut të Sarajevës “Çelësin e qytetit”, në shënjë simbolike për shprehjen e miqësisë.

 

Gjatë takimit, kryetari i Bashkisë së Tiranës e njohu homologun e tij me disa nga projektet më transformuese të qytetit të Tiranës, përfshi edhe atë për Teatrin e ri Kombëtar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *