Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj kërkon të rifitojë lirinë. Përmes ekipit të tij ligjor ai ka paraqitur rekurs në Gjykatën e Lartë duke kërkuar zbutjen e masës shtrënguese izolim në burg, në një më të lehtë, arrest shtëpiak apo detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore.
Ky rekurs vjen pas ndryshimit të pjesshëm të vendimit unifikues të vitit të 2011, për kriteret e paraburgimit, ndërsa është regjistruar në Gjykatën e Lartë me datë 6 maj.
Sipas praktikës së re unifikuese, që u ndryshua me vendim unanim të 16 gjyqatarëve të lartë, gjykatat duhet të marrin parasysh personalitetin e personit të dyshuar kur vendosin masën “arrest në burg”. Izolimi nuk duhet të bazohet thjesht te natyra e veprës penale, por tek individi që i atribuohet ai dyshim. Do duhet të shihet historiku familjar, nëse ka rekorde të mëparshme kriminale nëse paraqet rreziqe konkrete nëse i dyshuari lihet me një masë më të butë.
Një tjetër ndryshim është se gjykata e faktit tani ka detyrimin të shpjegojë pse nuk ka zgjedhur masa më të lehta sigurie, si detyrimi i paraqitjes apo arresti në shtëpi. Më parë kërkohej vetëm arsyetimi për vendosjen e arrestit në burg. Gjithashtu, edhe prokurori duhet të argumentojë pse kërkon një masë kufizuese të lirisë dhe jo një alternativë më të butë në kërkesën që paraqet në gjykatë.
I pandehuri, kryetari i bashkisë së Tiranës Veliaj është vendosur në masën arrest në burg që prej 10 shkurtit 2025. SPAK ka renditur per te 13 episode kriminale të korrupsionit pasiv pastrimit të parave, dhe vepra të tjera penale.
Sipas organit të akuzës që përfaqësohet nga dy prokurorët Altin Dumani dhe Ols Dado ai shfrytëzoi postin e qytetarit të parë të kryeqytetit për t’i krijuar kushte gruas së tij qe te perfitonte përmes një skeme korruptive të ndërlikuar.
Beteja ligjore e Erion Veliajt krahas asaj në Gjykatën e Posaçme, së fundmi është zhvendosur edhe në Gjykatën Administrative, ku ka paditur prokurorin që e ka hetuar, Ols Dado për emërim të paligjshëm në vitin 2008. Seanca për këtë është caktuar në 19 qershor.
/vizionplus.tv





