Subscribe

Tirana, Kryeqyteti Europian i Rinisë, do të presë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, në dy mbrëmje, edicionin e 18 të Festivalit Ndërkombëtar të Vokalit Operistik “Marie Kraja”. Kësaj here, regjisor i festivalit, ku marrin pjesë 16 yje të rinj nga 4 kontinente, do të jetë nëndrejtori i Operas së Kievit, Anatoliy Solovianenko, i cili është larguar nga lufta në Ukrainë.

 

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, priti sot jurinë e Festivalit të përbërë nga drejtorët e teatrove të njohur europianë, dhe i dhuroi Kullën e Sahatit regjisorit të njohur ukrainas, Anatoliy Solovianenko.

 

“Sahati i Tiranës është kilometri 0 për çdo kënd të Shqipërisë. E di që Ukraina po kalon orë të vështira, por koha do kalojë, vendi do të rindërtohet dhe do t’i rikthehemi normalitetit. Ne kemi një shprehje: Rindërto më mirë, më të madhe dhe më bukur – jo vetëm ndërtesa, ura, apo çdo shkatërrim tjetër nga lufta, por edhe shpirtin. Unë mendoj se puna dhe misioni juaj, me këtë grup fantastik miqsh, do të luajë një rol të madh edhe për rindërtimin shpirtëror të njerëzve,” u shpreh Veliaj.

 

Ai tha se është i kënaqur që sot në Tiranë kemi miq nga Ukraina. “Nesër presim në Tiranë një ekip të lojtarëve olimpik të Ukrainës, që do të trajnohen këtu, për të mos humbur bioritmin, e për t’u përgatitur për Lojërat Olimpike të Parisit. Ne treguam një mikpritje të jashtëzakonshme me refugjatët nga Afganistani, por edhe me nismën e Tiranës për të kontribuar në atë që quhet ‘solidariteti 1%’ – sikur një qytet i madh të mirëpresë ekuivalentin e 1% të popullsisë së tij, për gratë me fëmijë që vijnë nga Ukraina, atëherë edhe barra do ndahej më kollaj. Jam shumë i lumtur që shumë kolegë na kanë ardhur nga e gjithë Europa, janë pjesë e jurisë dhe shpresoj shumë që në Tiranë jo vetëm të qëndroni e të kaloni mirë, por të ktheheni edhe në ambasadorë ‘de facto’ të asaj që patë”, tha Veliaj.

 

Kryebashkiaku shtoi se Festivali “Marie Kraja” është pjesë e stofit të qytetit. “Këtë vit që Tirana është Kryeqyteti Eruopian i Rinisë, është një moment për të lartësuar çunat dhe gocat me talent, jo vetëm nga Shqipëria, por nga e gjithë bota. Besoj fort se tradita që ka filluar me “Marie Krajën”, dëshmon një pafundësi talentesh në një vend shumë të vogël. Ndoshta ne nuk do prodhojmë dot BMË e Mercedez, por të paktën në atë fushë ku jemi të talentuar, sidomos në art e kulturë, ne mund të kemi një krijimtari të lartë, por sidomos kur të rinjtë tanë ballafaqohen me të ngjashmit e tyre nga çdo cep i botës, e bën Tiranën një epiqendër të zhvillimeve ndërkombëtare”, tha ai.

 

Nëndrejtori i Operas së Kievit, Anatoliy Solovianenko, u shpreh mirënjohës që një vend i vogël si Shqipëria i ka qëndruar pranë, jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra, Ukrainës së pushtuar nga Rusia.

 

“Unë e di se si shqiptarët dhe Tirana po e mbështesin Ukrainën. Vendet e mëdha po flasin për të marrë disa vendime për të ofruar armë, ndërsa Shqipëria, në vend të thjesht fjalëve, po bën shumë, shumë gjëra. Jam shumë i lumtur që jam këtu dhe që kam bërë miq të rinj, por edhe që Ukraina ka bërë miq të vërtetë në Shqipëri, tek shqiptarët, tek shteti shqiptar. Ndaj, dua t’ju them faleminderit për këtë mbështetje dhe për këtë bashkëpunim, sepse kur çdo gjë është duke shkuar mirë, ju keni shumë miq, por kur diçka shkon keq në familjen tuaj, në qytetin tuaj, në shtetin tuaj, ju mund të shihni kush është miku juaj i vërtetë dhe kush po ju mbështet me vepra reale, jo vetëm duke thënë “Ne jemi me ju”. E falënderoj edhe njëherë kryebashkiakun, e falënderoj Shqipërinë dhe të gjithë shqiptarët për atë çka po bëni tani për Ukrainën,” u shpreh ndër të tjera Solovianenko.

 

Drejtoresha e Operas dhe Baletit, Zana Çela, dha disa detaje nga festivali. “Ky edicion organizohet në një moment shumë të veçantë dhe ne duam që të japim mesazhin se duhet të jemi bashkë në këto momente dhe kështu do ndodhi dhe gjatë netëve të festivalit. Ka artistë nga e gjithë bota që janë përzgjedhur si konkurrentë të edicionit të tetëmbëdhjetë. Unë falënderoj me gjithë zemër, në emër të gjithë artistëve të rinj, kryetarin e Bashkisë për këtë mbështetje kaq të madhe. Pa mbështetjen e tij, ky edicion nuk do të ishte realizuar. Tirana, si Kryeqyteti Europian i Rinisë, e meriton edicionin e 18-të të Festivalit Operistik “Marie Kraja”, sepse tashmë dihet që në shekullin që jetojmë festivalet muzikore janë promotorët më të mirë të zhvillimit të një vendi,” u shpreh Çela.

 

Veliaj e mbylli fjalën e tij duke theksuar se viti ku Tirana është Kryeqyteti Europian i Rinisë është një moment për të lartësuar të rinjtë me talent, jo vetëm nga Shqipëria, por nga e gjithë bota.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *