24 të rinj nga Ballkani Perëndimor morën pjesë në programin “Youth Trail” (Shtigje Rinore), organizuar nga Prezenca e OSBE-së në Tiranë, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës. Në takimin me të rinjtë, kryebashkiaku Erion Veliaj vuri theksin te titulli që mban Tirana për vitin 2022, si Kryeqyteti Europian i Rinisë, dhe shtoi se kryeqyteti shqiptar është i gatshëm të ndihmojë edhe qytetet e tjera që të aplikojnë për ta fituar këtë titull në të ardhmen.

 

“Këtë vit do të kemi më shumë se një mijë aktivitete. Prandaj, ju ftoj të ktheheni sërish, mos harroni të sillni edhe miqtë tuaj nga qyteti apo organizata juaj. Ne jemi të lumtur t’ju mirëpresim”, tha Veliaj.

 

Duke komunikuar me të rinjtë, Veliaj vuri theksin edhe te rëndësia e marrëdhënieve të mira me shtetet fqinj.

 

“Ne jetojmë në një botë shumë të paparashikueshme, ku siguria është e rëndësishme. Jam i lumtur që ju përfaqësoni Ballkanin Perëndimor sepse tregon se fqinjët janë të rëndësishëm. Mendoni sikur të kishim një fqinj të zhurmshëm në lagjen tuaj. Ky fqinj do të ndikojë në mënyrën tuaj të jetesës. Fqinjët kanë rëndësi edhe në rutinën tonë të përditshme, prandaj duhet ta vlerësojmë fqinjësinë e mirë “, theksoi ai.

 

Programi i quajtur “Youth Trail” (Shtigje Rinore), vjen në këtë edicion të pestë të tij nën temën “Together for Safety” (Së bashku për Siguri). “Shtigje Rinore 2022” organizohet nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në partneritet me Bashkinë Tiranë, Kongresin Rinor Kombëtar, Zyrën Rajonale të Bashkëpunimit Rinor (RYCO) dhe me mbështetjen e Ambasadës Greke në Tiranë, Agjencisë Austriake për Zhvillim dhe Përfaqësisë së Përhershme të Italisë pranë OSBE-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *