Eksperienca japoneze në menaxhimin e emergjencave civile dhe fatkeqësive natyrore, si dhe një transport publik miqësor me mjedisin ishin temat e vizitës së kreut të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në Japoni. Me ftesë të qeverisë japoneze, kryebashkiaku zhvilloi takime me Guvernatoren e Tokios, Yuriko Koike, ministrin e Punëve të Jashtme të Japonisë, Taro Kono, si dhe me zëvendës/Presidentin Ekzekutiv të JETRO, Organizata Japoneze e Tregtisë së Jashtme, Yasukazu Irino.

 

Në takimin me Guvernatoren e Tokios, Yuriko Koike, kryebashkiaku Veliaj diskutoi mbi rritjen e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit mes dy qyteteve për një sërë projektesh konkrete. Disa nga fushat e bashkëpunimit kishin të bënin pikërisht me emergjencat civile, pastrimin dhe transportin publik.

 

“Ndihem posaçërisht i lumtur për takimin me guvernatoren e Tokios, një qytet i stërmadh me 30 milionë banorë, e megjithatë ka sfida të ngjashme kur vjen puna tek menaxhimi i emergjencave civile, siç është çështja e pastrimit. Ajo që dakordësuam është se në fushën e emergjencave civile, vitin tjetër do të fillojmë një projekt të veçantë me Bashkinë e Tokios, kryesisht për të menaxhuar ato që shihen si më problematike, siç janë zjarret, përmbytjet apo të gjithë ndërhyrjet e tjera që duhet të bëjmë në një rrjet infrastrukture që e bën qytetin më të qëndrueshëm, sidomos me ndryshimet klimaterike. Mezi pres, po ashtu, që edhe në çështjet e transportit publik, me gjithë transferimin që po u bëjmë flotave tona në transportin elektrik, të kemi më shumë për të mësuar nga Tokio”.

 

 

Mandej, ai zhvilloi një takim edhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Japonisë, Taro Kono. Ata vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes dy vendeve tona, ndërsa theksuan nevojën për të shtuar bashkëpunimet konkrete, sidomos në fushën e investimeve dhe zhvillimit të biznesit. Veliaj prezantoi ndryshimet që ka pësuar Tirana në vitet e fundit dhe klimën shumë miqësore që ajo ofron për investime të ndryshme, përfshi edhe ato japoneze.

 

“Qeverinë japoneze e kemi pasur pranë në shumë nga transformimet e Tiranës, qoftë për projektin që po bëhet me qeverinë qendrore, lidhur me kanalizimet e ujërave të zeza të Tiranës dhe asaj që është impianti i Kasharit apo edhe në nivel bashkie, ku shumë ndërhyrje në Parkun e Liqenit, qoftë me mbjelljet e pemëve apo me sistemin e pastrimit, i kemi bërë me ndihmën e agjencive dhe kolegëve japonezë. Ajo që sot na intereson është si mund të promovojmë Shqipërinë e Tiranën, si vend për investime. Ndaj, me kompanitë japoneze, nëpërmjet Agjencisë së tyre të Tregtisë, kemi reklamuar atë që ofron Tirana e Shqipëria, si paketa për investitorët strategjikë, ashtu edhe lehtësirat që ofron qyteti i Tiranës”.

 

Më tej, Veliaj informoi ministrin japonez mbi mundësinë që ofron Shqipëria për të bërë biznes dhe si një rrugëkalimi për gjitha investimet japoneze drejt Ballkanit.

 

“Unë shpresoj shumë që nisma e kryeministrit Abe për rajonin perëndimor mund ta shohë Tiranën si një port hyrës për investimet japoneze, por edhe si një pikë koordinimi për gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor në lidhje me Japoninë”.

 

Gjatë kësaj vizite, Veliaj zhvilloi edhe një takim me Zëvendës Presidentin Ekzekutiv të JETRO, Organizata Japoneze e Tregtisë së Jashtme, Yasukazu Irino, me të cilin diskutoi për nxitjen e sa më shumë investimeve japoneze në Shqipëri.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *