Titulli Kryeqytet Europian i Rinisë për vitin 2022, vetëm në dy muajt e parë, ka sjellë në Tiranë plot 100 aktivitete.

 

Në një prej këtyre aktiviteteve, nga fushat multisportive të Parkut të Liqenit Artificial, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u shpreh se kryeqyteti shqiptar po dëshmon çdo ditë e më shumë, teksa pret të rinj nga e gjithë Europa, se e meriton këtë titull dhe vlerë absolute për këtë veçoi bashkëjetesën në një qytet me komunitete të të gjitha ngjyrave.

 

 

“Është një mundësi fantastike për të treguar sa mendjehapur është Tirana. Pavarësisht sfidave që kemi, në këtë qytet kemi mësuar të bashkëjetojmë me njëri-tjetrin. Është një nga vlerat më të mëdha që kemi, se pavarësisht se jemi një vend që ka kaluar sfida të mëdha si me komunizmin, edhe në tranzicion, kemi mësuar të tolerojmë njëri-tjetrin, sepse besojmë se bashkëjetesa jonë është më e rëndësishme sesa feja e dikujt, partia e dikujt, apo vota e dikujt,” u shpreh Veliaj.

 

Në ndeshjen e volejbollit me të rinjtë amerikanë dhe vullnetarë të Federatës se Paqes, në kuadër edhe të javës së sportit në Tiranë, Veliaj tha se bashkia e ka treguar vëmendjen te sporti përmes investimeve në terrene të reja sportive.

 

“Sporti, qoftë futbolli, volejbolli apo basketbolli, janë një mjet për të lidhur njerëzit. Duam të vazhdojmë të njëjtin investim, siç kemi bërë këtu fushën e basketbollit, të volejbollit, të futbollit, edhe për federatat e tjera. Besoj shumë se sporti është ndoshta diplomacia më e mire, është një mënyrë që i bashkon njerëzit. Ndaj, shpresoj shumë se e gjithë kjo javë që ia kemi dedikuar sportit, këtyre terreneve të reja dhe miqësisë mes popujve, të jetë një investim i mirë,” deklaroi kryetari i Bashkisë.

 

Veliaj tha se futbolli në Tiranë ka qenë një prej sfidave për të cilat ai ndihet krenar që e ka fituar.

 

“Ka shumë njerëz që më pyesin pse unë futem në disa beteja, që ndoshta dikush mendon se nuk janë për kryetarin e Bashkisë, por për sportin. Por nuk kam asnjë pishman që ne bëmë një betejë për futbollin, të paktën për Tiranën, sepse për Kukësin ka tjetër kryetar, për Vlorën dikush tjetër, për Sarandën, për Shkodrën tjetër, por të paktën për Tiranën thamë: “Në Tiranë ka “fair play”, në Tiranë kush investon në fusha, si kjo fushë fantastike këtu te Liqeni, do të kërkojë edhe llogari. Kur secili bën betejën e vet, atëherë edhe shumatorja e betejave tona prodhon një qytet më të mirë,” e mbylli fjalën e tij Veliaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published.