Subscribe

“Fëmijët e Tiranës nuk mund të trajtohen si skllevër nga një bandë në Shijak që nuk po bën “fair play” në futbollin shqiptar”. Ka qenë kjo deklarata e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjatë ceremonisë së shpërndarjes së kupave për Turneun Sportiv Universitar në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”.

 

“Është shumë e rëndësishme që në një Federatë, që ushtron gara kompetitive, të ketë “fair play”. Ashtu siç ka “fair play” në Komitetin Olimpik, në Federatën e Volejbollit dhe Basketbollit, në Federatën e Sporteve Universitare dhe Sporteve Shkollore, do të ketë “fair play” edhe në Federatën Shqiptare të Futbollit. Nuk mund të ketë një ishull në Tiranë që është jashtë ligjit, jashtë auditit, jashtë kontrollit. Nuk mund të ketë vajza dhe djem të rinj, që prindërit i mbajnë me kaq shumë sakrifica, i çojnë nëpër kurse futbolli, dhe në fund të trajtohen si skllevër, ku një bandë në Shijak vendos se çuni kujt bën dhe çuni i kujt nuk bën,” deklaroi ai.

 

Duke iu drejtuar studentëve të universiteteve publike të qytetit të Tiranës, Veliaj tha se në këtë betejë për një Shqipëri të ndershme janë 99% e shqiptarëve.

 

“Sa prej jush erdhën me “Bentley” këtu sot? Zero! Asnjë! Sa prej jush ishin me David Beckham në “Ëembley”, te boksi VIP? Zero! Asnjë! Pse një djalë dhe një vajzë e re nga Shqipëria, që punon, që mundohet, që prindërit sakrifikojnë, nuk i ka lukset e tilla? Por, po të jesh pjesë e bandës së Federatës je në majë të botës? Një Shqipëri ku 99% zbaton rregullat, luajnë “fair play”, dhe vetëm 1% shet ndeshjet, është në majë të charterit dhe “Bentley”-t, gëzon të gjitha të mirat materiale të një Federate, nuk është një Shqipëri e ndershme,” deklaroi kreu i Bashkisë.

 

Veliaj në fund premtoi se, “jo vetëm do ta bëjmë betejën me FSHF, por dhe do ta fitojmë, që të sigurohemi që edhe çunat dhe gocat që luajnë futboll të kenë meritë, të kenë talent dhe të kenë një vlerësim në bazë të aftësive të tyre”.

 

Për herë të pare, Bashkia Tiranë organizoi Turneun Sportiv Universitar ndërmjet universiteteve publike të qytetit. Në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Sportit Universitar morën pjesë 6 universitete, 200 të rinj, 30 ekipe përkatësisht në disiplinat: basketboll, volejboll dhe minifutboll vajza dhe djem.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *