Gjimnazi “Sami Frashëri” do jetë jo vetëm një nga shkollat më të bukura në kryeqytet, por më e bukura në Ballkan. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi punimet së bashku me ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu.

Punimet në për shkollën e re “Sami Frashëri” vijojnë me ritëm të shpejtë, teksa është ngritur kati i parë, pas atij nëntokësor dhe i gjithë ndërtimi pritet të përfundojë në shtator për të pritur nxënësit në vitin e ri shkollor. Kryebashkiaku Veliaj tha se shkolla nuk është llaçi edhe tullat, shkolla është ajo që ka njeriu në zemër dhe mënyra se si menaxhon situatat. Veliaj bëri me dije se shkolla e re do të ketë një kapacitet të shtuar prej 50 klasash nga 24 që kishte më parë, do ketë 8 laboratorë dhe katin -1.

“Shkolla nuk është llaçi dhe tulla, tek kjo shkollë kanë qenë edhe disa nga kundërshtarët tanë edhe nga ata që varen tek kangjellat e që thonë shkolla është në Paskuqan. Me kundërshtarët tanë ne nuk ndahemi nga adresat e shkollave, por nga shkollimi që kemi kur vjen puna se si i menaxhojmë gjërat. Ne mund të vëmë kujën për tërmetin ose mund të themi kjo është një mundësi fantastike që shkolla jonë të bëhet më e madhe, më e fortë, më e mirë”, sqaroi Veliaj.

Me tej ai u shpreh se projektet e nisura do çohen deri në fund që të fitojë shpresa dhe puna, e jo frika dhe pengesa.

“Kemi ndërtuar katin e dytë dhe duhet të sigurohemi që i shkojmë deri në fund kësaj pune dhe në finale bizhuja e re që do të jetë “Sami Frashëri” do flasë dhe do t’i kthejë përgjigje të gjithë cinikëve, skeptikëve dhe i atyre që ngatërrojnë politikën dhe harrojnë që kanë qenë student të kësaj shkolle. Ku kemi dalë të gjithë të majtë e të djathtë edhe lipset të majtë e të djathtë të bashkëpunojmë që qyteti të eci përpara”, pohoi Veliaj.

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, e cila shoqërohej edhe nga vajza e saj në këtë inspektim, falenderoi kryebashkiakun Veliaj për punën fantastike në çdo cep të Tiranës.

“Falenderoj Erionin për impenjimin dhe punën e madhe që Bashkia e Tiranës është duke bërë për të çuar përpara projektet për të cilat ka nevojë komuniteti, qofshin ato kopshte, çerdhe, shkolla. Ky është modeli, kjo është puna që po bëhet sot dhe pa dyshim kështu do të jetë edhe e ardhmja e fëmijëve tanë. Do t’i japim më shumë garanci të ardhmes së fëmijëve tanë për të patur të ardhmen e tyre këtu dhe jo në një vend tjetër”, përfundoi Manastirliu.

Godina e re do të ketë një kapacitet prej 1500 nxënësish, 50 klasa, 8 laboratorë dhe një bibliotekë 5 herë më të madhe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *