Subscribe

Dy pikat kufitare me Serbinë në veri të Kosovës, vijojnë të jenë të bllokuara pasi protestuesit serbë kundërshtojnë reciprocitetin e targave, për të pestën ditë me radhë. Forcat e policisë gjenden në terren ndërsa ekspertët e sigurisë nuk e përjashtojnë përshkallëzimin e situatës.

“Vet procesi ka nisur me provokime, nga sjellja e protestuesve ndaj policëve të Kosovës. Edhe ata po kanë durim dhe qëndrim dhe disiplinë që të mos iu përgjigjen këtyre provokimeve. Por, procesi po vazhdon me bllokim të rrugëve dhe kjo është shqetësuese. Nuk ka shenja se ndonjëra palë do të lëshojë pe, dhe me sa duket kjo do të zgjatë. Problemi është tek ajo që të mos kalojë situata nga ekstremistët që kanë dalë të protestojnë por edhe nga xhandarmëria serbe që po qëndron në afërsi të kufirit. Ajo e di që s’mund të ndërhyjë, por realisht ato janë provokime dhe presion i gjithmbarshëm”, shprehet eksperti i Sigurisë, Nuredin Ibishi.
Ibishi komenton edhe lajmet e rreme nga mediat serbe se brenda policisë së Kosovës janë përfshirë agjenci të sigurisë dhe se ka pasur incidente në Bërnjak.

“Kjo është një luftë speciale e Serbisë, që me provokime dhe inskenime të ndryshme, që përmes rasteve të paqena në realitet të nxisë edhe një provokim më të madh të policisë, me qëllim që me e prish rendin. Për këtë arsye duhet me qenë të përmbajtur Policia e Kosovës nga këto provokime, por edhe vet protestuesit, të cilët bashkë me ministrin Rakiq po qëndrojnë aty dhe po dirigjohen nga Beogradi.”

Deri më tani bllokada ka cënuar lëvizjen e lirë të njerëzve ndërsa qarkullimi i mallrave vijon në pikën kufitare të Merdarës. Prishtina nuk heq dorë nga masa reciproke duke e argumentuar me fundin e marrëveshjes së Brukselit ndërsa Beogradi përforcon thirrjet për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, një pikë debati që vazhdon me dekada.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *