Përmirësohet situata nga zjarret në Gramsh.
Ndonëse ka patur disa vatra të reja në Njësinë Administrative Skënderbegas dhe Teqen e Dushkut, rreziku për përhapje të flakëve është më i vogël.
Megjithatë problematike mbetet dendësia e lartë e pyllit në krahun lindor të fshatit Ërmenj, ç’ka u vështirëson ekipeve të emergjencave civile izolimin e vatrave aktive, e nëse nuk vihet në kontroll zjarri kalon ne territorin e Prefekturës Korçë.
Edhe në Njësinë Administrative Kukur do duhet kryer ndërhyrja në mënyrë që zjarri të mos fitojë terren. Pra në total, në Gramsh janë katër vatra aktive zjarri.
Nga ana tjetër, shqetësues është bilanci paraprak i zjarreve.
“Sipas të dhënave zyrtare, deri tani janë djegur 42 banesa në Skënderbegas dhe fshatra të tjerë, si dhe 130 krerë bagëti të imta, 22 gjedhë, 1 thundrak, 80 koshere bletësh dhe shumë shpendë. Autoritetet kanë nisur procesin e groposjes së kafshëve të ngordhura për të shmangur rrezikun e shpërthimit të ndonjë epidemie”, njoftoi Ministria e Mbrojtjes.
Numri i personave të evakuuar është rritur në 46, pasi të mërkurën në mbrëmje u akomoduan edhe 6 persona të tjerë në konviktin shtetëror, përveç 40 të evakuuarve të parë. Nga kjo godinë ata i kërkojnë shtetit t’i dëmshpërblejë.
“Gjashtë kasolle. Delet i kam në një mal të Korçës, në shtëpi unë pata 10 kokë. Lopa me gjithë viç, 10 ditë e pjellë, është djegur. Është shkrumbuar çdo gjë. Zahire nuk kam. Edhe mallin ta kisha, do ngordhte për të ngrënë. Nuk dimë ç’është bërë atje. Të gjitha i kemi lënë atje. Pa shtëpi, pa ekonomi, malli është djegur pjesërisht. Shumë e rëndë, ku të vemë ne?”, tha një fermerë.
Në terren janë angazhuar rreth 50 forca të ushtrisë, 7 mjete zjarrfikëse dhe 200 vullnetarë. Bilanci paraprak tregon se rreth 10 fshatra janë prekur nga flakët në territorin e Gramshit, ndërsa në Bletëz dhe Shëmbërdhenj nuk ka mbetur asgjë pas.
/vizionplus.tv





