Enkelejda Mema
Gazetare, Vizion Plus
Bashkia e Himarës i mbetet Partisë Socialiste. Për 3 vitet e ardhshme ajo do të drejtohet nga Vangjel Tavo. Ai mundi me një diferencë të thellë prej 1477 votash kundërshtarin e opozites Petro Gjikuria.
Vendoret e përsëritura në bashkine e vogel bregdetare prodhuan një rezultat fitues për socialistët. Himariotët ia besuan drejtimin e punëve vendore Vangjel Tavos. Ndryshe nga zgjedhjet e majit të një viti më parë, Partia Socialiste jo vetëm përmbysi rezultatin por mori më shume vota. 1477 të tilla i dhanë fitoren Vangjel Tavos, ish deputetit të Levizjes Socialiste për Integrim, që u rekrutua nga Partia Sociliste fillimisht si prefekti i qarkut të Vlorës e më pas si kandidiati i saj për kryebashkiakun e Himarës.
“Që sot vazhdojmë punën për ato që kemi premtuar.
Të bashkuar të gjithë, të majtë e të djathtë përtej besimit të secilit, të gjithë për Himarën e bashkuar, për Himaurën e qetë dhe pa probleme.
E prisja rezultatin e kam thënë edhe e kam deklaruar, prisja 1200-1300. Do vazhdojmë punën për turizmin, krahas problemeve të tjera që kanë shprehur banorët gjatë fushatës. Zoti Gjikuria nëse nuk do të largohet në Amerikë është i mirëpritur të jetë nënkryetari i bashkisë. Siç e theksova bashkia ka nevojë për të gjithë, të majtë e të djathtë. Turizmi është prioriteti, festë nuk ka do të vazhdojmë punën për Himarën dhe himarjotët”, tha kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës Vangjel Tavo.
Në këto zgjedhje Partia Demokratike dhe aleatët e saj nuk e përsëritën rezultatin e vendoreve të 2023. Ata humbën edhe votat e fituara një vit më parë. 295 vota më pak për Petro Gjikuria në krahasim me Fredi Belerin, të dy kandidatë që u propozuan nga partia e Vangjel Dules, PBDNJ.
Edhe pse në kulmin e sezonit turistik, numri i himariotëve që shkuan të votonin ishte më i lartë. Nga pranvera e 2023 në verën e 2024, votuan 906 zgjedhës më shumë.
Fitorja e Vangjel Tavos i jep fund ciklit 15 mujor të drejtimit të bashkisë bregdetare nga kryetarë të komanduar dhe jo të dalë nga vota e drejtpërdrejt e zgjedhesve. Çështja “Beleri” u bë shkak i ftohjes së marrëdhënies mes Tiranës dhe Athinës zyrtare. Greqia vendosi veton dhe vazhdon të mbajë të bllokuar procesin anëtarësues të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. A do të shërbeje ulja e një minoritari grek në karrigen e kryebashkiakut të Himarës për të zbutur inatin e fqinjit? A do të vazhdojë Greqia të mbajë peng rrugën integruese të vendit tonë në familjen evropiane? Përgjigjet e këtyre pyetjeve do t’i marrim në javët në vazhdim. Nga e bukura Himarë, për Vizion Plus, Enkelejda Mema./vizionplus.tv





