Valdrin Sahiti zbuloi detaje nga bashkëpunimi me Rita Orën në krijimin e veshjes tradicionale të përdorur nga kjo e fundit në klipin e saj “Bang”. Për “Vizioni i Pasdites” stilisti i mirënjohur tregoi se ishte Rita ajo që e kontaktoi duke i kërkuar një “veshje madhështore shqiptare”. Sipas tij, ky ishte një bashkëpunim sfidues për shkak të natyrës së kostumit. Megjithatë Valdrini u shpreh mëse i kënaqur nga rezultati përfundimtar teksa shpjegoi dhe detajet nga veshja më e diskutuar e momentit.

“Dëshira e saj ka qenë të jetë një veshje me motive shqiptare, e cila mund të jetë e stilizuar ose e rikrijuar duke u bazuar në materialet, idetë apo dhe integritetin e veshjeve tona kombëtare. Pjesa e fundit është e inspiruar në xhubletën tonë, por normalisht që është marrë vetëm pjesa e trapezit. Këmisha dhe pjesa e korsesë janë detaje për të cilat ne kemi shfrytëzuar materiale të ndryshme antike”, tha Sahiti për Vizion Plus.

Akuzave se kjo veshje ishte bullgare, apo detajet e saj u huazuan nga traditat bullgare, Valdrini u shpreh:

“Veshja e Ritës është një vepër e krijuar këtu, në studion tonë. Edhe veshjet nga të cilat i kemi ricikluar janë marrë në Drenicë, në Prishtinë, në Ferizaj, në Gjilan në Krujë. Ritës i kemi bërë pothuajse 80% të veshjes nga fillimi dhe pastaj me këto aksesorë dhe detje kemi kombinuar imazhin total të saj.”

Por nuk mbarojnë këtu të reja nga stilisti shqiptar, i cili zbuloi dhe një tjetër lajm të mirë nga brendësia e familjes së tij. I pyetur nga Evi Reçi, Valdrini tregoi se tashmë janë në pritje të fëmijës së dytë, të cilësuar “prodhim karantine” me nota humori.

“Pasojë e karantinës, rezultati i karantinës. Vij nga një familje me vëllezër dhe e di rëndësinë e të pasurit vëlla ose motër. Dëshiroja shumë që Bela të ketë një shok-shoqe të jetës, dhe ta kenë njëri tjetrin gjatë gjithë jetës. Gjininë nuk e dimë ende. Do doja shumë të ishte gocë…”, u shpreh i emocionuar stilisti i njohur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *