Partia Demokratike ka reaguar në lidhje me vakancën në Gjykatën Kushtetuese. Në një dalje për mediat, sekretari për çështjet ligjore Çlirim Gjata akuzoi kryeministrin se po përpiqet që të bllokojë organet e reja të drejtësisë.

 

Sipas Gjatës, Rama po shkel hapur Kushtetutën pasi anëtarët e Gjykatës Kushtetuese janë përcaktuar nga qeveria.

 

“I gjithë procesi ka patur makinacionet e veta teknike të pista, antiligjore për të çuar në përfundimin që do Edi Rama, por akti më antikushtetues i tij është emërimi i paracaktuar i anëtarëve në Gjykatën Kushtetuese. Kushtetuta e Shqipërisë e thotë qartë se për të ruajtur balancën mes pushteteve në Gjykatën Kushtetuese, anëtarët e saj zgjidhen me radhë, i pari nga Presidenti, i dyti nga Kuvendi, i treti nga Gjykata e Lartë. Ky rregull ndiqet për çdo vend vakant, derisa Gjykata Kushtetuese të plotësohet, por Edi Rama ka vendosur ta shkelë Kushtetutën nesër, duke zgjedhur 2 kandidatë njëherësh. Një akt që do të çojë ose në kapjen e Gjykatës Kushtetuese, ose në bllokimin e saj.”

 

Gjata akuzoi qeverinë dhe Këshillin e Emërimeve në Dretjësi pasi, sipas tij, tentuan të detyrojnë Presidentin të zgjedhë sërish një anëtar nga lista e tij me 4 emra, kur, sipas Kushtetutës radha i takonte Parlamentit.

 

“Duke zgjedhur dy anëtarë direkt, pa respektuar radhën e Presidentit, aq më tepër kur njëra nga listat nuk ka tre emra, Kuvendi i pamundëson Presidentit të dekretojë anëtarin sipas Kushtetutës dhe dërgon në këtë Gjykatë ata anëtarë që i Shërbejnë politikisht. Qëllimi prapa qendrimit antikushtetues të Edi Ramës i shërben atij të kontrollojë sa mundet kush do të jenë anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese. Por jo vetëm kaq. Duke shkelur Kushtetutën, Edi Rama është përgjegjës për një përplasje të re kushtetuese, që për pasojë do të këtë bllokimin e Gjykatës Kushtetuese nga Edi Rama dhe vënien në pikëpyetje të legjitimitetit të saj.”

 

Sipas PD ky akt është i papranueshëm dhe dëmton besimin e publikut tek organet e reja të drejtësisë dhe integritetin e Gjykatës Kushtetuese.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *