Presidenti i Ukrainës Volodymir Zelensky ka refuzuar të nënshkruaj marrëveshjen me SHBA për t’i dhënë 50% të tokave që mbajnë mineralin për të cilin amerikanët janë të interesuar.
Zelensky tha se nuk i ka lejuar ministrat e tij të firmosin marrëveshjen, pasi sipas tij amerikanët nuk janë gati të mbrojnë interesat e Ukrainës.
“Nuk u kam dhënë leje ministrave për të nënshkruar marrëveshjen sepse nuk është gati. “Për mendimin tim, ajo nuk na mbron. Një marrëveshje e tillë duhet të përfshijë “garanci sigurie “, por unë nuk shoh ende një lidhje të tillë në dokument“, tha Zelensky gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih.
Kujtojmë që administrata Trump ka propozuar që Ukraina të dorëzojë 50% të tokës së saj me mineraline rrallë Shteteve të Bashkuara si kompensim për ndihmën ushtarake dhe ekonomike që ka marrë që nga fillimi i luftës në 2022.
Trump, nga ana e tij, ka shprehur vazhdimisht bezdi për nivelin e mbështetjes amerikane për Ukrainën, duke e quajtur Zelensky “shitësin më të mirë të të gjitha kohërave”. “Sa herë që vjen në Shtetet e Bashkuara, ai largohet me 100 miliardë dollarë”, tha ai në një fjalim të fushatës në shtator.