Ukraina, në ankth për paqen, bisedimet për dhënien fund të konfliktit janë në duart e Trump dhe Putin

Ukraina është vendosur në qendër të vëmendjes nga Shtetet e Bashkuara, në Evropë dhe në Lindjen e Mesme. Kjo për shkak të nisjes së bisedimeve të paqes nën kontrollin e SHBA-ve dhe pikëpyetjeve se çfarë do të ndodhë gjatë këtij procesi.
Zyrtarët amerikanë dhe ata rusë do të takohen në Arabinë Saudite në ditët në vijim për të nisur bisedimet që synojnë t’i japin fund luftës gati trevjeçare të Moskës në Ukrainë. Lajmi është konfirmuar nga zyrtarë amerikanë, ndërsa Zelensky ka thënë se Ukraina nuk ishte ftuar dhe se Kievi nuk do të angazhohej me Rusinë përpara se të konsultohej me partnerët strategjikë. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, këshilltari për sigurinë kombëtare, Mike Walthz, dhe i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për Lindjen e Mesme, Steve Whitkoff, do të udhëtojnë në Arabinë Saudite, dhe janë mes negociatorëve amerikanë.
Nuk ka ende informacione kush merr pjesë nga Rusia. Nga ana tjetër, në ankth të madh është futur Europa, e cila duket se nuk do të ketë një vend për t’u ulur në tryezën e bisedimeve. Për këtë arsye, shefja e politikës së jashtme ka thirrur një takim me disa nga liderët e rajonit këtë të dielë në margjinat e konferencës së sigurisë në Mynih.
Presidenti francez, gjithashtu, po organizon një samit informal me liderët kryesorë të vendeve të Europës për të diskutuar një përgjigje ndaj Uashingtonit.
/vizionplus.tv




