Ujë me kripë në vend të vaksinës, 8 mijë persona në Gjermani do të marrin sërish dozat

Më shumë se tetë mijë persona në veri të Gjermanisë do të duhet të përsërisin vaksinimin kundër koronavirusit, pasi dyshohet se injektimi i parë ka qenë ujë me kripë. Autoritetet po hetojnë një infermiere 40-vjeçare, kritike ndaj imunizimit dhe pandemisë.
Në muajin prill, ajo ka pranuar se u ka dhënë gjashtë personave ujin e kripur. Por teksa hetimet janë zgjeruar, është kuptuar se më shumë persona mund të kenë marrë këtë substancë, në vend të vaksinës së prodhuar nga kompania Pfizer/Biontech.
Policia nuk përjashton mundësinë e ndonjë motivi politik që ka nxitur veprimet e infermieres, ndonëse avokatët e saj kanë hedhur poshtë diçka të tillë. Gjermania është përballur disa herë me protesta kundër vaksinimit.
Grupet e ekstremit të djathtë janë në mesin e atyre që kanë refuzuar të dhënat zyrtare dhe konkluzionet rreth Covid-19.




