Nis ndërtimi i urës së Zëmblakut përmes një investimi të Autoritetit Rrugor Shqiptar prej 38,8 milionë lekësh. Kjo urë e cila lidh Shqipërinë me Maqedoninë e Veriut u shemb në dhjetorin e vitit 2017, për shkak të prurjeve të shumta të lumit Devoll pas një shtrëngatë shiu.

Prej janarit të vitit 2018, qarkullimi është kryer përmes një ure provizore të tipit bel të vendosur nga ushtria, ndërsa tashmë pas 2 vitesh e gjysmë, Autoriteti Rrugor Shqiptar akordoi fondin për ndërtimin e një ure të re, e cila do të ketë parametra të larta për të siguruar qarkullimin, jo vetëm të mjeteve të vogla, por edhe atyre të tonazhit të rëndë që deri më tani përdornin edhe akse të tjera alternative për të shkuar drejt Maqedonisë së Veriut.

Kryebashkiaku i Maliqit, Gëzim Topçiu thotë se ky investim i shërben rreth 200 mijë personave të cilët përdorin këtë aks të rëndësishëm nacional.

Aktualisht ka nisur prishja e urës së vjetër për të vijuar më pas me zbatimin e projektit për ndërtimin e urës së re. Afati për përfundimin e punimeve është 1 vit, ndërkohë që gjatë gjithë kësaj periudhë qarkullimi i mjeteve do të vijojë normalisht në urën provizore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *