Pavarësisht grevës së njoftuar nga Shoqata e Kamionistëve të Maqedonisë së Veriut për pezullimin e qarkullimit të mallrave drejt disa vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, në pikën doganore të Qafë Thanës janë regjistruar hyrje të pakta kamionësh dhe mjetesh të tjera të transportit të mallrave nga Maqedonia e Veriut.
Burime nga dogana bëjnë me dije se kamionët e futur kanë kryer procedurat doganore në të dyja anët e kufirit dhe më pas i janë nënshtruar kontrollit përmes skanerit, duke respektuar protokollet në fuqi.
Sipas njoftimit të shoqatës së kamionistëve, pezullimi i plotë i lëvizjes pritet të nisë sot në orën 12:00, moment nga i cili qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë drejt dhe nga Maqedonia e Veriut pritet të ndërpritet.
Kamionistët shprehen se greva lidhet me numërimin e ditëve të qëndrimit në vendet e Bashkimit Evropian, një praktikë që, sipas tyre, u shkakton penalitete dhe kufizime serioze në ushtrimin e aktivitetit të tyre, pasi koha e lejuar e qëndrimit në territorin e BE-së është e kufizuar.
Shoqata thekson se Ministria e Transporteve e Maqedonisë së Veriut ka shprehur mbështetje për këtë protestë, ndërsa pritet një reagim zyrtar nga autoritetet e Bashkimit Evropian lidhur me kërkesat e kamionistëve.
Autoritetet doganore shqiptare po monitorojnë situatën në Qafë Thanë, ndërsa në orët në vijim pritet të kuptohet nëse greva do të ndikojë ndjeshëm në qarkullimin e mallrave dhe furnizimin tregtar./vizionplus.tv





