Subscribe

Ndarja nga jeta e gazetarit nga Kosova Arton Turkaj ishte një lajm i trishtë për të gjithë kolegët e tij në të gjitha trojet shqipfolëse.

Dy kolegët dhe miqtë e tij më të mirë Albert Mulaj dhe Luan Hasanaj në një lidhje me “SKYPE” me emisionin “Vizioni i Pasdites” të moderuar nga Brikena Prifti në Vizion Plus, kanë ndarë disa nga kujtimet që ata kanë patur me Artonin.

Luan Hasanaj ka rrëfyer se e ka takuar Artonin vetëm një ditë më parë, dhe ka parë se ndryshe nga çdo ditë tjetër Artoni ka qenë më serioz, ndërsa po fliste për projektet e tij në të ardhme.

Ai rrëfeu se Artoni ishte një njeri me zemër të madhe dhe ka qenë gjithmonë i gatshëm të ndihmonte të tjerët.

Pjesë nga biseda:

Brikena Prifti: Për të gjithë ka qenë një dyshim nëse lajmi ishte i vërtetë?

Luan Hasanaj: Absolutisht ishte shumë e vërtetë, më merrnin në telefon dhe thonin mos bëj shaka të tilla. Duke njohur Artonin shumë besonin se mos po bënim shaka. Një gjë të tillë e kemi dëgjuar nga miq të tjerë. Lajmin për vdekjen e kemi marrë nga familjarët e tij.

Brikena Prifti: Kur keni biseduar me Artonin?

Luan Hasanaj: Ditën e djeshme kemi patur disa biseda për të cilat jo shpesh i kemi folur me Artonin. Natyra se si kemi komunikuar me Artonin, i cili gjithmonë ka patur humor, ai gjithmonë dinte t’i kthente me humor. Dje ka qenë pak më ndryshe.

Brikena Prifti: Pse më ndryshe, kishte ndonjë parandjenjë?

Luan Hasanaj: Jo absolutisht jo, ai nuk është ankuar asnjëherë për asgjë. Mënyra e bisedës ishte shumë më serioze se zakonisht, po fliste për një projekt të ri. Po thoshte se ndoshta se mënyra se si i zhvilloj aktivitete mendoj se mund të bëj më shumë. Në një moment mendova se çfarë po ndodh. Ndoshta Zoti e ka shkruar ashtu, ndoshta ai filloi të reflektojë dhe të mendojë ndryshe. Mora vesh që ai mbrëmje ka patur një ngushtim në gjoks dhe ka shkuar shumë vonë te mjeku. Artoni ka qenë një mik shumë i mirë, është një humbje shumë e madhe për secilin prej nesh, ka për të na munguar të gjitha.

Brikena Prifti: Ishte shumë aktiv në rrjetet sociale?

Luan Hasanaj: Ishte i mahnitshëm Artoni për mënyrën se si qasej me batutat për politikanët. Ka qenë i çiltër. Ne që e kemi njohur e dimë. Të gjithë e kanë parë edhe si militant, Artoni ka patur të tjera bindje dhe qasje, por shpesh keqkuptohej.

/Vizionplus.tv/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *