Prej të paktën dy javësh policia shqiptare ka mbajtur nën vëzhgim Behar Bajrin në Francë, deri në momentin kur u arrestua në Paris.
Agjentët tanë kishin të dhëna mbi lëvizjet e Bajrit dhe në momentin e duhur, lajmëruan autoritetet franceze për prangosjen e tij.
Mësohet se 43-vjeçari u kap, ndërsa ndodhej i vetëm në një lokal në Paris. Në momentin e ndërhyrjes ai nuk ka bërë rezistencë, ndërsa gjatë kontrollit nuk i është gjetur ndonjë send i jashtëligjshëm.
Tashmë pritet që Ministria e Drejtësisë të dërgojë në Francë kërkesën për ekstradimin e tij, për tu përballur me drejtësinë. Në fillim, Behar Bajri do të dalë para gjykatës franceze për tu njohur me masën e arrestit, dhënë nga Gjykata e Posaçme në mungesë.
Bajri u shpall në kërkim ndërkombëtar në kuadër të dosjes “Metamorfoza”. Hetimet nisën në 2019-ën, pasi autoritetet belge dhe holandeze arritën që të zbërthenin komunikimet në rrjetin “Enchro Chat” dhe “SKY”. Sipas dosjes së SPAK Behar Bajri dhe biznesmeni Pëllumb Gjoka kishin komunikuar me mesazhe për të ekzekutuar ish-punonjësin e burgjeve Kleanthi Musabelli.
Gjithashtu në këtë dosje u zbulua se Bajri kishte kontaktuar edhe me Ervis Martinajn për të organizuar vrasjen e Gjin Boriçit. Këtë të fundit e donte të vdekur pikërisht Martinaj, ndërsa bosi i lojërave të fatit do të vriste Musabellin për llogari të biznesmenit Gjoka.
Jo vetëm kaq, por në dosje tregohen edhe planet e Behar Bajrit për të ekzekutuar Ibrahim Licin dhe Genc Tafilin.
Dosja “Metamorfoza” nxorri në skenë implikimin e drejtuesve të lartë të policisë dhe prokurorë. Në pranga ra kreu i operacionales Oltian Bistri, i cili nxirrte sekretet hetimore dhe ua jepte bandave. Ndërkohë prokurori i Kukësit, Xhevahir Lita, në kohën kur shërbente në Shkodër, i mbyllte dosjet këtij grupi kriminal. Në pranga ka rënë edhe ish-shefi i krimeve Ardit Hasanbegaj, pasi sipas SPAK ai monitoronte lëvizjet e kundërshtarëve të Bajrave dhe më pas i raportonte tek këta të fundit.





