U kapën me armë me vete dhe nuk iu bindën policisë, arrestohen 2 persona në Fier

Policia arrestoi në flagrancë dy persona që qarkullonin të armatosur dhe nuk iu bindën urdhërit për të ndaluar.
Ngjarja ndodhi pasditen e djeshme në lagjen “Apollonia”, ku shërbimet e Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Fier, me mbështetjen e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, ndaluan për kontroll një automjet tip “Audi”.
Drejtuesi i automjetit dhe pasagjerja tentuan të largohen, por u kapën menjëherë nga policia.
Gjatë kontrollit, në çantën marsup të drejtuesit u gjet një pistoletë me municion luftarak, që u sekuestrua bashkë me automjetin dhe dy celularë.
“Pas informacioneve të marra në rrugë policore se me një automjet tip “Audi”, lëviznin shtetas të armatosur, shërbimet e Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Fier me mbështetjen dhe të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, pasditën e djeshme, në lagjen “Apollonia” kanë ndaluar për kontroll automjetin tip “Audi” me të cilin qarkullonin 2 shtetas. Në momentin e ndërhyrjes së Policisë, drejtuesi i automjetit dhe pasagjerja kanë tentuar të largohen por janë kapur menjëherë nga shërbimet e Policisë.
Gjatë kontrollit, në çantën marsup të drejtuesit të automjetit, u gjet një armë zjarri pistoletë me municion luftarak.
Arma e zjarrit u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin dhe 2 aparate celularë.
Në vijim të veprimeve për rastin, nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier u arrestua në flagrancë shtetasi G. N. alias G. S., 40 vjeç, banues në fshatin Sulaj, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe shtetasja A. P., 31 vjeçe, banuese në fshatin Portëz, për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të policisë së rendit publik”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftim.
/vizionplus.tv




