Subscribe

Një sasi prej 45.5 kilogramë kokainë u kap mbrëmjen e të mërkurës në portin e Durrësit nga polica, ndërsa u arrestuan dy persona.

 

Lënda narkotike ishte fshehur në një kontenier të ngarkuar me mish pule, që ishte nisur transit nga Brazili, për llogari të një subjekti tregtar në Maqedoninë e Veriut, pjesë e kompanisë kosovare “Appetit Gropup”. Droga ishte ndarë në 40 pako pesha e të cilave varionte nga 800 gramë deri në 1.2 kilogramë.

 

Kokaina ishte mbështjellë me natriban që kishte të stampuar personazhe të filmave vizatimor, por dhe figurën e Budës.

 

Operacioni i koduar “Tranzit” u zhvillua pas informacioneve të siguruara nga ana e agjentëve të antidrogës se në një kontenier që ishte stacionuar në terminalin perëndimor ishte fshehur lënë narkotike.

 

Policia arrestoi administratorin e kompanisë “appétit group”, Arben Ferizi 30 vjeç dhe agjentin doganor të portit të Durrësit, 39-vjeçarin Egert Vargu, i cili ishte kontraktuar nga subjekti tregtar për ngarkesën me mish.

 

Burimet policore bënë të ditur se kokaina dyshohet të jetë porositur nga grupe kriminale jashtë vendit. Por nuk përjashtohet mundësia që droga të merrej nga grupet shqiptare sapo ngarkesa të dilte jashtë portit.

 

Pas qindra kilogramëve të kapura në kontenierët me banane në portin e Durrësit, trafikantët po zgjedhin mënyra të tjera për të transportuar drogën nga vendet e Amerikës Latine. Në datë 17 maj në Durrës u zbulua një sasi prej 59 kilogramësh kokainë në një anije që transportonte qymyr. Për këtë ngarkesë nuk u arrestua asnjë person, ndërsa të vetmit që u shoqëruan ishin anëtarët e ekuipazhit.

 

Prej kohësh sipas agjencive ligjzbatuese , Porti i Durrësit, shërben si një nga nyjet kryesore të trafikut të lëndëve narkotike nga Amerika Latine.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *