Turqia: Ujdia mes Rusisë dhe Ukrainës mbetet e vetmja zgjidhje për marrëveshjen e grurit, alternativat e SHBA pa sukses

Ujdia mes Ukrainës dhe Rusisë është e vetmja formë për funksionimin e marrëveshjes së grurit, sipas Turqisë. Ministri i jashtëm turk nga Kievi shtoi se nuk ka në “tavolinë” një alternativë tjetër për të arritur një marrëveshje në këtë drejtim.
“Ne e dimë se po kërkohen rrugë të tjera, por nuk shohim ndonjë alternativë ndaj marrëveshjes origjinale për shkak të rreziqeve që paraqiten,” u tha gazetarëve Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan, i cili po viziton Kievin.
Turqia ka luajtur prej kohësh një rol ndërmjetësues midis dy vendeve ndërluftuese. Konkretisht, nën kujdesin e Ankarasë dhe OKB-së, u nënshkrua marrëveshja e grurit, nga e cila u tërhoq Rusia. Megjithatë, marrëdhëniet me Moskën janë të tensionuara pasi Ankaraja i dorëzoi Ukrainës komandantët e urdhrit ultra-nacionalist Azov.
Rusia u tërhoq në mes të korrikut nga një marrëveshje që lejonte miliona ton drithë ukrainas të eksportoheshin nga deti për gati një vit, pavarësisht luftës. Javët e fundit, Moska ka kryer një sërë sulmesh me dron në infrastrukturën portuale në portet e Odesës dhe Danubit.
Ukraina po kërkon partnerë për të rifilluar eksportet, duke përfshirë edhe përmes Detit të Zi, ku kohët e fundit provokoi Moskën me udhëtimin e një anijeje mallrash me flamur Hong Kong, e cila nuk u sulmua nga Rusia pavarësisht kërcënimeve të saj.
Kievi gjithashtu ka kryer disa sulme ndaj anijeve ruse në Detin e Zi, duke përfshirë një cisternë nafte, dhe nga ana e tij ka kërcënuar anijet e destinuara për në portet ruse dhe portet e sekuestruara nga Moska.




