Kulla Veneciane dhe amfiteatri antik vazhdojnë të jenë dy nga monumentet e trashëgimisë kulturore më të vizituara në qytetin e Durrësit.
Nga fillimi i vitit deri në mesin e muajit qershor janë regjistruar 20 mijë vizitorë vendas dhe të huaj, ndërkohë që për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar janë shënuar 15 mijë vizitorë.
Ina Ajazi, specialiste e Qendrës Muzeore, thotë se në mjediset e Kullës Veneciane vizitorët njihen me një tur virtual rreth historisë mesjetare të Durrësit, falë teknologjisë që është instaluar në mjediset e saj.
Edhe amfiteatri antik është pjesë e turit që vizitorët, kryesisht të huaj, kryejnë në Durrës. Galeritë e tij dhe sidomos kisha bizantine në mjediset e brendshme e bëjnë atë unik dhe të papërsëritshëm.
Qytetit pritet t’i shtohet gjatë vjeshtës edhe një tjetër monument i rrallë: Muzeu Arkeologjik, tërësisht i rikonstruktuar, pritet të hapet me tre kate funksionale, ku pritet të ekspozohen artefakte të rralla të historisë sonë përgjatë shekujve.
/vizionplus.tv





