Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka bërë të ditur se javën e ardhshme Këshilli i Ministrave pritet të miratojë vendimin për angazhimin e Shqipërisë në misionin ndërkombëtar stabilizues në Gaza.
Pas mbledhjes së qeverisë, Nufi sqaroi se angazhimi fillestar i Shqipërisë do të konsistojë në dërgimin e oficerëve të shtabit në strukturën e forcës shumëkombëshe.
“Javën që vjen, Këshilli i Ministrave me shumë mundësi do të miratojë vendimin. Shqipëria ka marrë një angazhim dhe ai lidhet me faktin që ne do të dërgojmë oficerë shtabi në shtabin e forcës ndërkombëtare stabilizuese. Shqipëria do të jetë pjesë e këtyre trupave”, deklaroi ministri.
Sipas Nufit, vetëm pas vendosjes së oficerëve të shtabit do të bëhet vlerësimi për fazën e dytë të angazhimit, që lidhet me pjesëmarrjen e trupave shqiptare në terren.
“Me dërgimin e këtyre forcave do të bëhet edhe vlerësimi për angazhimin e trupave konkrete. Atëherë do të jemi në gjendje të specifikojmë sa trupa do të dërgohen, ku do të dislokohen konkretisht dhe cili do të jetë misioni i tyre”, u shpreh ai.
Ministri nuk dha një afat për dërgimin e trupave në terren, duke theksuar se detajet do të përcaktohen pas vlerësimit operacional të misionit.





