Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka vendosur sanksione ndaj punonjësve të Gjykatës së Hagës që hetojnë shtetasit amerikanë apo të vendeve aleate si Izraeli.
“Kjo gjykatë, pa një bazë legjitime, ka vendosur juridiksionin dhe ka hapur hetime paraprake në lidhje me personelin e Shteteve të Bashkuara dhe disa aleatëve të saj, përfshirë Izraelin, dhe ka abuzuar më tej me pushtetin e saj duke lëshuar urdhër-arreste të pabaza që synojnë kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e mbrojtjes Yoav Gallant,” tha Shtëpia e Bardhë.
Këto veprime, sipas presidentit Trump, kërcënojnë sovranitetin e vendit të tij dhe të aleatëve.
“Veprimet e fundit të saj kundër Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara vendosën një precedent të rrezikshëm, duke rrezikuar drejtpërdrejt personelin aktual dhe të mëparshëm të Shteteve të Bashkuara, duke përfshirë anëtarët e shërbimit aktiv të Forcave të Armatosura, duke i ekspozuar ata ndaj ngacmimeve, abuzimeve dhe arrestimeve të mundshme. Kjo sjellje keqdashëse, nga ana tjetër, kërcënon të cenojë sovranitetin e Shteteve të Bashkuara dhe minon sigurinë kombëtare dhe punën kritike të politikës së jashtme të qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve tanë, përfshirë Izraelin,” shtoi Shtëpia e Bardhë.
Sanksionet përfshijnë ngrirjen e çdo pasurie në Shtetet e Bashkuara të individëve të përcaktuar në listë dhe ndalimin e tyre dhe familjarëve të tyre që të hyjnë në SHBA.
Këtij vendimi iu përgjigj menjëherë Gjykata e Hagës, e cila dënoi vendimin e Shteteve të Bashkuara.
“Gjykata qëndron me vendosmëri pranë personelit të saj dhe zotohet të vazhdojë të japë drejtësi dhe shpresë për miliona viktima të pafajshme të mizorive në të gjithë botën, në të gjitha situatat përpara saj. Ne u bëjmë thirrje 125 shteteve tona partnere, shoqërisë civile dhe të gjitha kombeve të botës që të qëndrojnë të bashkuar për drejtësinë dhe të drejtat themelore të njeriut,” tha Gjykata Ndërkombëtare Penale.
Nga ana tjetër, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka mirëpritur urdhrin ekzekutiv të kreut të Shtëpisë së Bardhë, duke e cilësuar këtë gjykatë si të korruptuar dhe anti-amerikane. /vizionplus.tv





