E diel, 15 Nëntor 2026 Film TV deri në 23:00 Në vijim ora 23:00: Lajmet e Fundit dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

Trump nuk di të ndalet: Thirrje shteteve që të izolojnë qeverinë e Iranit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump u bëri thirrje “të gjitha shteteve të izolojnë” Qeverinë e Iranit, për aq kohë sa udhëheqësia e këtij shteti vazhdon me politika të “agresionit” në Lindjen e Mesme dhe përtej.

Duke folur para liderëve botërorë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Trump tha se liderët e Iranit po mbjellin “kaos, vdekje dhe shkatërrim” në gjithë Lindjen e Mesme.

“Ata nuk respektojnë fqinjët e tyre ose kufijtë, apo të drejtat sovrane të kombeve. Në vend të kësaj, udhëheqësit e Iranit plaçkitin burimet e vendit për të pasuruar veten dhe për të përhapur kaos në të gjithë Lindjen e Mesme dhe përtej saj”, tha Trump.

Trump tha se “ne nuk mund të lejojmë që sponsori kryesor në botë i terrorizmit të posedojë armët më të rrezikshme të planetit”.

Reklamë

“Nuk mund të lejojmë që një regjim që thërret ‘vdekje Amerikë’ dhe që kërcënon Izraelin me asgjësim, i kërkojmë të gjitha kombeve që të izolojnë regjimin e Iranit, për aq kohë sa agresioni i tij vazhdon dhe kërkojmë nga të gjitha kombet që të mbështetin popullin e Iranit, teksa ata luftojnë për të rikthyer besimet e tyre fetare dhe dinjitetin e tyre”, tha Trump.

Duke folur para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, presidenti Trump paralajmëroi se SHBA do të vendosë më shumë sanksione ndaj Teheranit.

Në fjalimin e tij, Trump mbrojti vendimin e tij për t’u tërhequr nga marrëveshja bërthamore mes Iranit dhe fuqive botërore. Ai tha se ky vendim është mirëpritur nga vendet e tjera në Lindjen e Mesme.

Duke folur mbi luftën në Siri, Trump paralajmëroi se SHBA do të përgjigjet nëse armët kimike përdoren nga forcat e presidentit sirian, Bashar al-Assad. Ai tha se “qëllimi i përbashkët” i botës mbi Sirinë duhet të jetë zgjidhja e konfliktit përmes një zgjidhjeje politike “që do të bazohej mbi vullnetin e popullit sirian”.

Trump lavdëroi liderin verikorean, Kim Jong Un për “masat inkurajuese” që prej se të dy liderët u takuan në Singapor në qershor, duke e falënderuar Kimin për “kurajon dhe hapat e ndërmarrë” drejt uljes së tensioneve në Gadishullin Korean. Por, ai tha se “duhet të bëhet më shumë punë” nga Koreja e Veriut dhe se sanksionet amerikane do të “qëndrojnë deri në denuklearizimin” e plotë./R.E.L

Vazhdo të lexosh

Reklamë