Trump: Izraeli ka rënë dakord me kushtet për armëpushim 60-ditor në Gaza

Izraeli ka rënë dakord me “kushtet e nevojshme” për të finalizuar një armëpushim 60-ditor në Gaza, tha presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
Në një postim në Truth Social, Trump tha se gjatë armëpushimit të propozuar, SHBA-të do të “punojnë me të gjitha palët për t’i dhënë fund Luftës”.
“Katari dhe egjiptianët, të cilët kanë punuar shumë për të ndihmuar në sjelljen e paqes, do ta paraqesin këtë propozim përfundimtar. Shpresoj… që Hamasi ta pranojë këtë marrëveshje, sepse situata nuk do të përmirësohet, VETËM DO TË PËRKEQËSOHET”, shkroi Trump.

Izraeli nuk e ka konfirmuar se ka rënë dakord me kushtet e një marrëveshjeje dhe nuk pati asnjë koment të menjëhershëm nga Hamasi, raporton BBC.
Njoftimi i Trump vjen përpara një takimi me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu të planifikuar për javën e ardhshme në Shtëpinë e Bardhë.
Presidenti amerikan tha të martën se besonte që Netanyahu donte t’i jepte fund armiqësive në Gaza.
“Ai dëshiron. Mund t’ju them se ai dëshiron. Mendoj se do të kemi një marrëveshje javën tjetër”, shtoi Trump.
Rreth 50 pengje izraelite janë ende në Gaza, të paktën 20 prej të cilëve besohet se janë gjallë.
Javën e kaluar, një zyrtar i lartë i Hamasit i tha BBC-së se ndërmjetësit kanë shtuar përpjekjet për të ndërmjetësuar një armëpushim të ri dhe një marrëveshje për lirimin e pengjeve në Gaza, por se negociatat me Izraelin mbeten të bllokuara.
Izraeli ka thënë se konflikti mund të përfundojë vetëm kur Hamasi të jetë shpërbërë plotësisht. Hamasi ka bërë thirrje prej kohësh për një armëpushim të përhershëm dhe një tërheqje të plotë të Izraelit nga Gaza./vizionplus.tv




