Ekipi i Donald Trump do të fillojë të punojë me administratën e presidentit në largim Joe Biden për të arritur një “zgjidhje” midis Ukrainës dhe Rusisë, ndërsa Trump shqetësohet për “përshkallëzimin” aktual të luftës, tha sot këshilltari i ardhshëm i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare.
Pas zgjedhjeve të 5 nëntorit dhe fitores së Trump, evropianët kanë frikë se SHBA do të tërhiqet nga lufta ose do të punojnë për një marrëveshje që do të jetë në kurriz të Kievit.
Presidenti i zgjedhur, i cili do të marrë detyrën më 20 janar, ka formuar tashmë pothuajse të gjithë kabinetin e tij, megjithëse këto emërime duhet së pari të miratohen nga Senati.
“Presidenti Trump ka qenë i qartë për nevojën për t’i dhënë fund këtij konflikti. Ajo që duhet të diskutojmë është se kush do të jetë në tryezë, nëse do të jetë një marrëveshje, një armëpushim, si do t’i çojmë të dyja palët në tryezë dhe cili do të jetë kuadri i një zgjidhjeje”, tha Mike Waltz për Fox News, i cili do të marrë postin e Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë.
“Për këtë do të punojmë me qeverinë aktuale deri në janar dhe do të vazhdojmë edhe pas kësaj”, siguroi ai.
“Kundërshtarët tanë që mendojnë se kjo është një mundësi për të kthyer një administratë kundër një tjetre e kanë gabim,” tha ai, duke këmbëngulur se ekipi i Trump është “i shqetësuar për përshkallëzimin e konfliktit”.
Për Lindjen e Mesme, këshilltari i tij foli gjithashtu për një “zgjidhje” që “do të sjellë stabilitet të vërtetë”.
Trump e prezantoi Waltz, një ish-ushtar i forcave speciale, si “një ekspert për kërcënimet e paraqitura nga Kina, Rusia, Irani dhe terrorizmi global”./vizionplus.tv





