Mundësia për të fituar një mandat të dytë nga ish-presidenti amerikan Donald Trump po qëndron ne ‘fije të perit’ për shkak të një vendimi historik të gjykatës së Kolorados një ditë më parë.
Vendimi që ndalon ish kreun e shtëpisë së bardhë të ketë emrin në fletën e votimit për zgjedhjet e ardhshme i heq të drejtën për mbajtjen e një posti publik çdo zyrtari që është betuar në Kushtetutën e SHBA dhe më pas është angazhuar në rebelim kundër saj.
Kjo është hera e parë në histori që përdoret kjo dispozitë për një kandidat për president dhe vjen në prag të zgjedhjeve presidenciale 2024.
Megjithatë Trump ka paralajmëruar se do të apelojë vendimin dhe fjala e fundit i takon Gjykatës Supreme.
Nëse ndodh, kjo do t’i jepte fund fushatës së Trump, sepse vendimi i Gjykatës së Lartë do të zbatohej në të gjitha shtetet.
Po ashtu, kjo hap shtegun e një lufte të re politike, pasi politikanët në të ardhmen do të shfrytëzonin vendimet gjyqësore për të skualifikuar rivalët e tyre në bazë të së njëjtës dispozitë.
Aktualisht, Trump po përballet me katër raste penale nëpër gjyqe, përfshirë një rast federal, dhe një padi tjetër në shtetin e Xhorxhias, lidhur me dyshimet se ka bërë përpjekje për përmbysje të rezultatit zgjedhor. /vizionplus.tv