Tronditet Kavaja/ Burri djeg gruan në makinë dhe më pas vetëvaret
Një krim horror ndodhi këtë të shtunë në fshatin Manskuri të Kavajës. Gjatë orëve të paradites, brenda një pylli u gjet një automjet i djegur dhe brenda tij edhe trupi i një gruaje, i shkrumbuar plotësisht.
Dyshohet se trupi i pajetë i përket Fëllënxa Shirjas, 45 vjeçe.
Por vetëm pak minuta më vonë, pasi është kontrolluar zona, në një pemë aty pranë është gjetur i varur edhe Bilbil Shirja 48 vjeç, bashkëshorti i gruas së vdekur në makinë.
Në vendngjarje mbërritën efektive të shumtë të policisë së Kavajës dhe nga prokuroria e këtij qytetit për hetimin e ngjarjes.
Paraprakisht dyshohet se ngjarja është një krim i rëndë në familje. Besohet se çifti ka qenë në proces divorci prej dy muajsh. Ndërkohë, këtë të shtunë, burri ka marrë gruan nga banesa e prindërve të saj, më pas e ka mbyllur brenda makinës në pyll dhe i ka vënë zjarrin.
Pas krimit tronditës, ai ka varur edhe veten. Shkak për konfliktin mes bashkëshortëve, prindër te dy fëmijëve, dyshohet të ketë qenë xhelozia që çoi në ndarjen e çiftit.




