Subscribe

Një sasi tritoli ka shpërthyer në banesën e Muhamet Dukës, babait të Leonard dhe Elis Dukës. Lënda shpërthyese është vendosur në banesën e tyre, në zonën e Freskut në Tiranë. Sipas policisë, sasia e vendosur ka qenë e vogël, çka dyshohet se është një mesazh për hesapet e pambyllura, që Klani Duka ka me rivalët.

 

Në këtë banesë nuk jetonte njëri prej vitesh dhe fatmirësisht nuk ka patur të lënduar. Pronarët e banesës ende nuk janë marrë në pyetje, as personi që ishte caktuar nga këta të fundit për mirëmbajtjen. Të vetmit që janë pyetur janë disa banorë, të cilët kanë thënë se nuk kanë parë asgjë dhe as ndonjë person të dyshimtë. Banorët e pallatit u shprehen se shpërthimi ishte i fuqishëm, çka solli panik në zonë.

 

Pjesëtarët e Klanit Duka njihen si kundërshtarët kryesorë të Ervis Martinajt. Përplasja mes dy grupeve ndër vite ka shkaktuar disa të vrarë. Martinaj dhe Leonard Duka më herët ishin ortakë në fushën e lojërave të fatit, por miqësia u prish për shkak të pazareve.

 

Leonard Duka është arrestuar në shkurt të këtij viti në Belgjikë për armëmbajtje pa leje, ndërkohë që në Shqipëri është i akuzuar për vrasjen e ish-policit Santiago Malkos, krahu i djathtë i Martinajt. Duka pritet që të ekstradohet në vendin tonë dhe të përballet me drejtësinë. Nisur nga ky fakt, policia ka dyshime gjithashtu se tritoli mund të jetë një ngjarje e stisur, pikërisht për të penguar procesin e ekstradimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *